Pas dy muajve dhe 592 viktimave nga varianti Delta, kryeministri Kurti vizitoi IKSHPK-në

Periskopi.com Lajme

Pas 71 ditëve që nga shfaqja e variantit Delta dhe 592 vdekjeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Kosova është duke përjetuar momentin më të vështirë që nga fillimi i pandemisë së Covid 19, ku vetëm në javën e fundit janë regjistruar 183 viktima nga ky virus, me shumicën prej tyre të prekur nga varianti Delta i cili për herë të parë u konfirmua në Kosovë me 29 qershor të këtij viti.

Pas më shumë se dy muajve, përgjatë të cilëve 592 qytetarë humbën jetën nga Covid 19, kryeministri Kurti ka gjetur kohën që të vizitojë Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për t’i falënderuar për punën që po bëjnë.

“Erdhëm këtu që të ju falënderohemi për punën, përkushtimin dhe kontributin të gjithë të punësuarve të cilët kanë kaluar 500 ditë që në mënyrë të pandalshme të palodhshme kontribojnë në ballafaqimin me pandeminë COVID-19 e në veçanti tani në këto javë kur situata është rënduar për shkak të pasojave e të gjëra të variantit delta” – deklaroi ai.

Dështimi në administrimin e vaksinave

Gjatë 71 ditëve të fundit, kryeministri Kurti ka injoruar situatën e rëndë të pandemisë së Covid 19, duke mos vizituar asnjëherë Klinikën Infektive në QKUK e cila ka 500 ditë që gjendet në vijë të parë të frontit me pandeminë e Covid 19.

Në një postim të 23 korrikut, Kurti shkruante se pandemia ishte vënë nën kontroll dhe situata ishte përmirësuar dukshëm.

“Pra, pandemia është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm. Por, tani rrezikohemi nga përhapja e variantit “Delta” të virusit. Përballë tij mburoja për secilin prej nesh është vaksina, kurse për të gjithë së bashku vaksinimi masiv” – shkruante kryeministri Kurti në llogarinë zyrtare në Facebook.

Mungesa e një fushatë të mirëfilltë vaksinimi, vonesat në termine dhe organizimi i punës në vetëm një qendër për komunë kanë bërë që vetëm 18.7% e qytetarëve të jenë të vaksinuar me dy dozat.

Mbi 130 mijë vaksina AstraZeneca, pjesë e donacionit nga Norvegjia u hoqën nga përdorimi për shkak të skadimit të afatit, me ministrin Vitia, i cili fajin për mos administrim të këtyre vaksinave ua la “dezinformatave” dhe raportimeve të media në lidhje me afatin e përdorimit të këtyre vaksinave.

Ministria e Shëndetësisë, përgjatë 60 ditëve nga data e pranimit të vaksinave AZ nga Norvegjia, administroi vetëm 46 mijë vaksina, duke bërë që 75% e donacionit (133 mijë vaksina) të shkojnë në asgjësim në kohën kur Kosova po kalon valën më të rëndë të pandemisë së Covid 19.

Mllefi i personelit shëndetësor dhe injorimi i tyre nga Qeveria

Pakënaqësitë e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës të cilët tash e një kohë të gjatë po shërbejnë në vijën e parë të frontit në luftë me pandeminë janë rritur sidomos pas vendimit të fundit për shtesat mbi paga, prej së paku 60 eurove, të cilat sipas tyre janë ofenduese.

FSSHK-ja ka kërkuar të takojë edhe krerët e institucioneve që nga 22 prilli i këtij viti, por ata deri sot as nuk kanë pranuar, por as nuk kanë refuzuar t’i takojnë, teksa pas 13 shtatorit personeli shëndetësor do të ketë një lloj proteste.

“Në fakt letrat e djeshit kanë qenë të fundit që i kam dërguar pas mbledhjes së Këshillit drejtues, e që në të vërtetë me apele kam filluar që me datë 22 prill, do të thotë një muaj pas marrjes së Qeverisë, kur i kam parë shenjat e parë që po duan t’i zvogëlojnë shtesat”, tha sot Blerim Syla në një intervistë për Telegrafin.

Ai theksoi se kanë dërguar me dhjetëra apele e letra në Presidencë, Qeveri e Kuvend të Kosovës, por ata nuk kanë marrë ndonjëherë përgjigje, as pozitive e as negative.

“Dje për herë të fundit ju kemi shkruar të diskutojmë dhe ta sjellim në tavolinë edhe Ligjin e Pagave, i cili do ta vej një barazi. Ky Ligj është në sirtarët e Qeverisë, të bihet sivjet, në mënyrë që të nis zbatimi në vitin 2022”, tha Syla.