Pas Ohrit, Oda Ekonomike Amerikane kërkon që Kosova t’i bashkohet Ballkanit të Hapur

Oda Ekonomike Amerikane ka mirëpritur marrëveshjen e arritur të shtunën (18 mars) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në Ohër.
Përmes deklaratës për media, OEA ka shprehur besimin e saj se kjo marrëveshje do të hapë mundësitë e zhvillimit ekonomik për të dyja shtetet, duke përmirësuar shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.
Gjithashtu, ajo përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që t’i bashkohet iniciativës së Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë, e njohur si Ballkani i Hapur, për treg të përbashkët rajonal, në bazë të marrëveshjes të arritur në Uashington më 4 shtator të vitit 2020.
“Oda Amerikane u bën gjithashtu thirrje të dyja shteteve që të respektojnë zotimet e dhëna më parë për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Zhvillimi i infrastrukturës së transportit, së bashku me njohjen reciproke të diplomave universitare dhe certifikimeve profesionale do të mundësojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, si edhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, duke përmirësuar në këtë mënyrë mobilitetin e bizneseve dhe profesionistëve brenda hapësirës së Ballkanit të Hapur”, thuhet në deklaratën e OEA-s.