Pas vendimit të Supremes, KQZ: Do të ndërmarrim veprimet e nevojshme për zbatimin e tij

Pas vendimit të Supremes, KQZ: Do të ndërmarrim veprimet e nevojshme për zbatimin e tij

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme dhe të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me hapësirat shtesë për votim jashtë përfaqësive diplomatike.

Kështu ka thënë për Gazeta Express, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në pyetjen se çfarë do të bëjë ky institucion pas vendimit të Gjykatës Supreme që ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së për organizimin e votimit jashtë përfaqësive diplomatike, më konkretisht në 10 Qendra Votimi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit konfirmohet vendimi i PZAP-it për çështjen e 10 Qendrave të Votimit të planifikuara nga KQZ që të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike sipas propozimit të MPJD-së. KQZ do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtyre vendimeve”, tha Elezi.

Më 26 nëntor 2025, KQZ kishte marrë vendim për miratimin e 50 Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete për të mundësuar votimin e 63 mijë votuesve dhe 10 Qendra të Votimit në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të MPJD-së. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin për të votuar 41 mijë.

Në media është raportuar se shumica e këtyre qendrave do të vendoseshin në ambiente private, përfshirë restorante, lokale dhe hapësira të tjera, të cilat nuk janë të përshtatshme dhe larg standardeve shtetërore.

Ndaj pjesës së dytë të vendimit, LDK ishte ankuar në PZAP, pasi që Ligji për Zgjedhje të Përgjthshme parasheh që votimi fizik jashtë vendit të organizohet vetëm në përfaqësi diplomatike dhe jo në hapësira tjera jo-shtetërore. Ky institucion kishte mbështetur ankesën e LDK-së. Kundër vendimit të PZAP-it, Vetëvendosje kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme, por kjo e fundit i ka dhënë të drejtë PZAP-it dhe rrjedhimisht LDK-së.

Të hënën pasdite, Gjykata Supreme ka nxjerrë Aktgjykimin, përmes së cilit mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës. Paneli, me të drejtë, vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë”./Periskopi/

Shpërndaje në: