Pas Veselit dhe Lladrovcit, a do të ketë të tjerë të ftuar nga Specialja? Flasin nga OVL-UÇK

Pas Veselit dhe Lladrovcit, a do të ketë të tjerë të ftuar nga Specialja? Flasin nga OVL-UÇK

Gjykata Speciale po vazhdon të dërgojë ftesa ndaj ish- eprorëve dhe ish -luftëtarëve të UÇK-së, e madje nuk ka kursyer as civilë që kanë marrë pjesë në luftën e fundit në Kosovë.

Disa në cilësinë e të dyshuarve e të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar me orë të tëra në Dhomat e Specializuara, shkruan Periskopi.

Numri i atyre që janë ftuar nga Gjykata Speciale, llogaritet të jetë mbi 100. Ndërsa, është konfirmuar se rreth 70 emra që janë ftuar nga kjo Gjykatë, në cilësi të ndryshme, në mesin e tyre Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi, Time Kadrijaj, Safete Hadërgjonaj, Azem Syla, Gani Krasniqi, Ramiz Lladrovci, Rrustem Mustafa-Remi, Sokol Dobruna, Naim Maloku, Sokol Bashota, Nuredin Ibishi, Abelard Tahri, Raimonda Rreci,e shumë të tjerë.

Megjithatë, është përfolur se ekziston mundësia që ka edhe figura të tjera të cilët janë ftuar nga Gjykata Speciale, por se një gjë të tillë nuk e kanë bërë publike.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kohë më parë pati deklaruar se të gjithë të ftuarit nga Gjykata Speciale do të paraqiten pranë kësaj organizate, dhe se e njëjta do të jetë burimi kryesor për të dhënë informacione rreth të ftuarve.

I kontaktuar nga Periskopi, Nasim Haradinaj, nga OVL-UÇK, thotë se tani për tani nuk kanë ndonjë informacion se dikush nga ish-luftëtarët e UÇK-së ka pranuar ftesë nga Gjykata Speciale, përveç atyre që tashmë janë bërë publik deri më tash.

‘’Ne nuk kemi ndonjë informacion se dikush tjetër është ftuar. Zakonisht, personat që i pranojnë ftesat na lajmërojnë neve në mënyrë që ne ta njoftojmë opinionin. Disa të tjerë kanë dëshirë që vet ta bëjnë publike këtë gjë, por në fund të fundit është diçka që merret vesh’’, përfundon Haradinaj.

I ftuari i fundit nga Gjykata Speciale është kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Lladrovci ka bërë me dije se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe do ta japë dëshminë më datë 19 dhjetor.

Ndërsa mbrëmë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i njohur në kohën e luftës si komandant Luli, përmes një konference për media ka njoftuar se ka pranuar ftesë nga dhomat e specializuara për t’u intervistuar. Veseli ka bërë të ditur se intervstimi i tij do të bëhet me datën 4 dhjetor./Periskopi/

Shpërndaje në: