PDK hap zyrtarisht fushatën, Krasniqi: Kandidatët tanë kanë në fokus kërkesat dhe mirëqenien e qytetarëve

Periskopi.com Lajme

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sot fushatën zgjedhore.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nëpërmjet një video-adresimi, tha se Partia Demokratike e Kosovës do ta shpalosë projektin e vet politik para qytetarëve në përputhje me rrethanat e rënda, të krijuara sipas tij, nga pandemia Covid 19 dhe keqmenaxhimi i saj nga Qeveria aktuale.

“Kjo fushatë për zgjedhjet e 17 tetorit, e cila po fillon sot, në rrethana normale do të dukej ndryshe. Do të ishim bashkë, do t’ia shtrëngonim dorën njëri-tjetrit, e nga afër do ta ndanim vizionin për të ardhmen e një Kosove që na bashkon të gjithëve në nevojën për t’i transformuar qytetet tona. Por, Kosova nuk po kalon në rrethana normale. Kosova po kalon ditë të rënda, për shkak të pandemisë”, tha ai.

Siç thuhet në komunikatë, Krasniqi kërkoi nga të gjithë kandidatët e PDK-së, strukturat partiake dhe mbështetësit e partisë në çdo komunë dhe në secilin nivel të organizimit, që të mos organizojnë tubime elektorale masive dhe të respektojnë në mënyrë strikte masat mbrojtëse dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Atë që nuk do të mund ta ndajmë së bashku në takime publike e tubime të mëdha elektorale, do ta ndajmë së bashku në forma të tjera të komunikimit, si kjo formë digjitale që po e bëj unë sot. Ju siguroj se koncepti ynë politik e reformues, që i duhet komunave të Kosovës sot më shumë se kurrë, do të arrijë te secili qytetar. Sepse, koncepti politik i PDK-së për komunat e Republikës së Kosovës është domosdoshmëri dhe emergjencë. Së bashku, do ta vëmë në jetë potencialin e zhvillimit, kundër stagnimit që kemi parë këto katër vjet në shumicën e komunave”, tha Krasniqi.

Ai tha se PDK, në këto zgjedhje, “hyn e reformuar, me frymë të re, me strukturë të re drejtuese, me kandidatë të duhur e kompetentë, si dhe me përfaqësim të mirëfilltë të qytetarëve të Kosovës”.

“Misioni ynë themelor është mirëqenia e qytetarëve, zgjerimi i potencialit të ekonomive dhe perspektiva e pamohueshme e të rinjve anekënd Kosovës. Ditëve në vijim, kandidatët e PDK-së do të ndajnë me ju plane konkrete që këtë mision e bëjnë të mundur. Prandaj, edhe kërkojmë besimin tuaj. Jemi krenarë për të kaluarën, të angazhuar për të sotmen dhe absolutisht të pakonkurrencë për të ardhmen. Për komunat e Kosovës, kjo e ardhme nis më 17 tetor. E ardhme për qytetarët, përtej ngjyrave partiake. E ardhme që na bën bashkë për Kosovën”, tha Krasniqi.

Këta janë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës që garojnë për kryetar të komunave:

Uran Ismaili për Prishtinën

Bedri Hamza për Mitrovicën

Agim Aliu për Ferizajn

Shaqir Totaj për Prizrenin

Leonora Bunjaku për Gjilanin

Arbnesha Kuqi për Gjakovën

Fadil Nura për Skenderajn

Ramiz Lladrovci për Drenasin

Floretë Zejnullahu për Podujevën

Naim Ismajli për Shtimen

Ferit Idrizi për Vushtrrinë

Esat Raci për Klinën

Besim Ilazi për Kaçanikun

Shaban Shabani për Dragashin

Ardiana Qorraj për Deçanin

Bejtullah Deliu për Rahovecin

Isni Kilaj për Malishevën

Muhamed Kallaba për Kamenicën

Bekim Azizi për Vitinë

Murtez Zekolli për Suharekën

Hyzer Rizani për Lipjanin

Rrahim Tërnava për Fushë Kosovën

Hanefi Musliu për Obiliqin

Ali Nimanaj për Istogun

Mehmet Ballazhi për Hanin e Elezit

Fatos Shala për Junikun

Selatin Nuhiu për Artanën

Shaqir Hetemi për Leposaviqin

Shpërndaje në: