PDK në Prizren akuzon qeverisjen e Haskukës për degradim urban me ndërtime pa leje

PDK në Prizren akuzon qeverisjen e Haskukës për degradim urban me ndërtime pa leje

Dega e PDK-së në Prizren ka akuzuar qeverisjen e Mytaher Haskukës se po degradon ambientin me ndërtime, që sipas tyre, janë të dyshimta.

Në një deklaratë për media PDK thotë se ndërtimi i disa objekteve afër udhëkryqit të autostradës po bëhet pa leje.

“Në lokacionin tek udhëkryqi i vogël afër autostradës, ku gjindet pompa e derivative ‘’Arbëria’’ dhe pas servisit ‘’Mercedes’’ dhe sallonit të dasmave ‘’Nafron’’ tashmë është ndërtuar një kompleks i tillë dhe një tjetër ka filluar të ndërtohet pikërisht gjatë kohës së pandemisë. Banorët e shqetësuar në këtë pjesë banimi, e kanë ngritur këtë çështje, dhe ata thonë se nga Drejtoria e Urbanizmit janë siguruar se ai projekt në ndërtim e sipër nuk ka leje nga Drejtoria në fjalë, por se leja është dhënë nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor”.

“Banorët e lagjes, kanë kontaktuar edhe me zv.Ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe nga ai është konfirmuar se Ministria nuk jep leje për ndërtim në asnjë rast, por merret vetëm me ankesa në raste të veçanta. Nga ana tjetër, Inspektorati i Komunës së Prizrenit, nuk e pengon fare në punë investitorin, që do të duhej ta bënte një gjë të tillë, derisa nuk ka fare leje. Imponohet pyetja, se pse nuk ka koordinim mes Drejtorisë së Urbanizmit dhe asaj të Inspektoratit?”.

“Si është e mundur që ndërtime të natyrës së tillë, të fillojnë në kohë të pandemisë? Kjo çështje përveç që duhet trajtuar nga aspekti ligjor dhe institucional, është edhe një tregues jo i mirë i moralit, sepse ka dyshime të bazuara se VILLA të tilla, nuk përdoren për qëllime të mira dhe me kësi veprime, askush nuk mund të krenohet. Ekspanzioni i këtyre VILLA-ve, sidomos kur janë në kundërshtim me ligjin, nuk duhet toleruar as minimalisht, kurse ajo që po bënë Komuna e Prizrenit si pasojë e keqmenaxhimit, në fakt këto lloje të aktiviteteve madje edhe po favorizohen”.

Shpërndaje në: