PDK’ja e kriminalizuar i fiton sërish zgjedhjet

PDK’ja e kriminalizuar i fiton sërish zgjedhjet

Halil Matoshi në një intervistë për portalin ‘Çmendina’, flet për shumë çështje në Kosovë. Thotë se po të mbahen zgjedhjet, druan se do të fitojë PDK, ‘megjithëse e kriminalizuar’.

 

Keni thënë se Kosova po udhëhiqet nga pjesa më e keqe e saj? A mendoni vërtetë se shoqëria kosovare është më e mirë se udhëheqësit që ka? Ju pyes, pasiqë dimë se është pikërisht kjo shoqëri që i ka zgjedhë këta njerëz.

Po kjo shoqni i ka zgjedhë, porse ata e kanë mashtru.

Ky llum prej kinsepolitikanësh, kur i ka formu partitë, programet dhe deklaratat politike asht shfaq i drejtë, i urtë, patriot – sa që votuesit janë trullu prej fjalëve të mira dhe iu kanë besu.

Ndërkohë politikanët kanë abuzu me pushtetin, e kanë shkelë fjalën që ua kanë dhanë qytetarëve, janë pasunu përmes zyreve publike, janë shndërru vërtetë në një kakistokraci (qeveri e udhëhequn prej njerëzve ma t’ligj) dhe kështu e kanë ma lehtë me qëndru në majat e pushtetit sepse i mban mobliteti në frikë se mund të humbasin gjithçka, klientelën, tenderat, punësimet, favoret…

Elektorati kosovar lëvizë shumë ngadalë sepse opinioni në këtë shoqni krijohet tepër me vështirësi.

E para, kjo kastë e ka shfrytëzu luftën si favor për me u fuqizu, pastaj frikësimin e qytetarëve dhe në fund edhe favoret e pushtetit për me u etablu dhe me sundu. Po e përmend fjalën sundim sepse konsideroj që këta njerëz nuk dijnë me qeverisë (me qeverisë me opozitë asht çelësi i një qeverie të përgjegjshme dhe joekstraktive/përfituese).

Por t’i kthehem pyetjes që e shtruet: a asht kjo shoqni njisoj me pushtetin që e ka?

Në thelb, po. Si masë mendjesh dhe si areal kulturor, nuk dallojnë, mirëpo shoqnia kosovare shquhet për individualitete të mëdha, prandaj ka edhe përjashtime, sepse, në këtë shoqni ka mendje të ndrituna, ka zotni të vërtetë, autoritete morale – porse ata përmes mekanizmave të pushtetit mbahen sa ma larg pushtetit sepse mundem me e ‘infektu” me virusin e hapjes, ndryshimit, mendësinë e tij tribale e fisnore, pra, injoranca asht fuqi e pakontestueshme sepse injoranca asht shumicë.

E dyta, qytetarëve kosovarë iu duhet nji bindje se partia të cilën kanë me e votu ka me qenë fituese – sepse asht praktike me u rreshtu me fituesin.

Nuk e duen humbjen sepse ashtu ndihen të poshtnuem, të zhburrnuem por edhe larg mësymjeve e lakmive të tyne – me qenë ngat pushtetit, ngat me të fortët, me u krekosë para fqinjëve e të tjerëve…

E treta, turbonacionalizmi që asht nji nacionalizëm fshatar në kohën e teknologjive të reja informative asht ajo patologji shoqnore, pra sëmundja që po e dërrmon shoqninë tonë. Nacionalizmi asht kiç dhe kulturalisht kjo shoqni i përafrohet kiçit, tu qenë e influencueme nga komunizmi dhe së fundi, e çoroditun nga mundësitë që jep hapja, përkatësisht liria.

Populli gabon. Elita duhet ta mbrojë Kushtetutën dhe të mos e lejojë popullin me gabu, sepse populli ka dëshirë me qenë i njëjtë me të gjithë – pra populli asht mediokritet kolektiv – në atë që konceptohet si “kombi” ose “shteti” barazitar…

Porse pushteti, duke ushtruar kontroll mbi publikun, ai e “disiplinon” popullin përmes manipulimit mediatik.

Nëse u bëjmë një lexim kritik dhjetë strategjive të linguistit dhe disidentit Chomsky, vërejmë se që të gjitha aplikohen dendur në këtë mjedisin kosovar të kontaminuar nga politikat e dominimit, frikës dhe frikësimit. Shihni këto dhjetë strategjitë e manipulimit mediatik të Chomskyt dhe keni me vërejtë se strategjia e parë, ajo e shtatë, pastaj e tetë e nëntë dhe e dhjetë, janë përdorur aq dendur në Kosovë sa – do të duhej – që secili qytetar i rëndomtë dhe pa ndonjë arsimim të lartë, t’i dallonte…

Pushteti i jep medias rolin që të mbajë vëmendjen e publikut të rritur duke e shmangur nga problemet reale sociale.

A është një figurë më e ndritur për historinë e Kosovës, Ibrahim Rugova apo Adem Jashari?

MATOSHI

Nuk mundet me u ba një krahasim i përciptë mes këtyne dy burrave të Kosovës. I pari e zgjodhi bamjen e politikës përmes një lëvizje masive paqësore, një lëvizje të rezistencës në jodhunë, që njëherit ishte edhe lëvizje kombformuese!?

Kurse i dyti, e zgjodhi politikën e rezistencës me mjete lufte. Që të dy, ishin njerëz të vendosun, njerëz të sakrificave të mëdha, mirëpo Rugova ishte një humanist me dije solide për filologjinë, historinë dhe estetikën, ishte kritik i shoqnisë për dallim nga Jashari që ishte një trim nga ata tribunët popullorë, por gjysëmanalfabet, të cilit nuk i kanë interesu zhvillimet dhe dinamikat shoqnore përtej legjendave dhe kangëve popullore.

Rezistenca e të dyve e ka ba Kosovën të lirë dhe të pavarun. Fundja, biografia e Rugovës asht e hapun, e qortueshme, e studiueshme në kohështrimje si proces, dhe në korelacion me zhvillimet dhe rrethanat e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Pra ai ishte njeri me fat, i rrethuem me shumë njerëz dhe i mbështetun masivisht. Ndërkaq akti i Adem Jasharit asht sakral, biografia e tij asht e mbyllun, por që nga dijetarët, mësuesit dhe biografët duhet me u shqu përmasa e tij reale: njeri guximtar i mposhtun nga pamundësia. I lanun në vetmi. I pambështetun nga ata që e cilësojnë veten krah lufte!

Mbase është ende tabu të flitet por megjithatë kemi të bëjmë me një çështje thelbësore, dhe një mendimtar nuk duhet të heshtë. A është problematike dhe e gabueshme të qesësh në luftë – e për rrjedhojë në vrasje – gra, pleq e fëmijë, siç bëri Adem Jashari me burrat e tjerë të familjes së tij?

MATOSHI

Kjo histori asht vërtet tragjike dhe mbështetjen e ka në fatalitet por edhe folklor. Natyrisht që më e drejtë do të ishte që ky njeri të vinte në Prishtinë, në zyrë me Rugovën dhe lëvizjen e tij, porse – me folë tu u shërby me letërsi – ai zgjodhi një mënyrë tjetër të rezistencës, atë që cilësohet si popullore, legjendare, me lanë za të madh…

Ngujimi në Kullë baruti dhe flijimi i luftëtarëve përreth asht fatalitet, për më shumë një mallkim, një thirrje e historisë së shqiptarëve, si figura e Oso Kukës për shembull. Këso figurash e projektojnë vdekjen e tyne duke u shkaktu sa ma shumë dhimbtë e dame tjerëve, për me jehue si ngjarje e madhe, e mbinatyrshme…

Padyshim që Jasharët po rriteshin në kushte të ngujimit, në kushte të legjendave e trimnive të supozueme nëpër histori…

Natyrisht që ata ishin kalitë në frymën e qëndresës përballë të huejve porse dilema humanitare mbetet: kush e ka të drejtën me e sakrifiku tjetrin, për disa qëllime të paqarta, sado të nalta qofshin ato, prindi, baba, apo zoti? Apo njeriu asht qenie unike në univers, jeta dhe vdekja e të cilit nuk mun me u drejtue nga një tjetër? Pse, me ç’të drejtë dikush dërgohet në vdekje nga dikush tjetër?

Kjo asht dilemë ekzistenciale njerëzore. Gati e pazgjidhshme. Vështirë e shpjegueshme.

Pas luftës së II-të botërore, Kosova mbeti nën Jugosllavi. Shumica e kosovarëve e vajtojnë atë fat. Por, nëse kthehemi në retrospektivë dhe shohim mizoritë e sistemit të Enver Hoxhës në Shqipëri – a mund të thuhet se Kosova kishte fat që mbeti në Jugosllavi? Ose më shkurt: a ishte megjithatë Tito më i mirë se Enveri?

MATOSHI

Jo, Kosova mbeti nën Sërbi (Jugosllavi) që në vitin 1913 kur u krijue dhe u njoftë shteti shqiptar – si produkt i Rilindjes shqiptare dhe i nacionalizmit shqiptar. Dhe bash në këtë periudhë ngjizet ideja e të jetuemit mes armiqësh. Pra, serbët përgjatë tanë shekullit XX i kanë rrahë e vra shqiptarët etnik, si hakmarrje se këta kishin bashkëpunu me osmanët. Lufta e Dytë Botnore ka qenë mashtrimi ma i madh për shqiptarët, sepse trupat nazifashiste i ka përjetu si çlirimtarë.

Asht shpall njëfarë Shqipnije Etnike (edhe pse nuk e kishte përfshi tanë territorin e sotëm të Kosovës) dhe shumica shqiptare sërishmi janë rrahë nga serbët e asaj kohe. Pastaj vijnë partizanët serbë, maqedonë, malazezë dhe lajnë lesh mbi shqiptarët!? E gjithë kjo deri në vitet 70-të.

Nga viti 1966 kur nga Tito rrëzohet kryepolici Rankoviç, shqiptarët etnikë nën Jugosllavi nisën me u ringjallë. Drejtojnë me përgjegjësi aftësitë e tyne. Përparojnë në arsimim dhe ekonomi. Nisin me e njoftë modernitetin. Dhe kur ata fitojnë të drejtën e autonomisë, kjo u jep impuls me u qytetnu, me u arsimu, me shku në “shallter” për me nxjerrë letërnjoftim, me shku në shkollë, me kry fakultete, me u ba drejtora, ingjiniera, policë… Pa atë autonomi (1974) kosovarët nuk kishin me qenë sot të pavarun. Ajo autonomi iu mësoi atyne sjelljet shtetnore, ligjin (ndonëse ishte edhe asokohe hallka ma e ligë e shoqnisë) dhe rend…

Ashiqare, ata shpejt e humbën sërish busullën si shoqni dhe u kthyen kah mendësia staliniste e Enver Hoxhës duke luejt bixhos me të arritunat e tyne. Me lirinë dhe perspektivën e tyne. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20, dy herë kosovarët e kanë hangër karremin e serbëve. Së pari, duke u identifiku me Ballin Kombëtar edhe pse në Kosovë nuk ekzistonte fare kjo organizatë e të djathtës shqiptare (historianët ma kredibilë thojnë se ishte një profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” i cili ishte vet ballist dhe përhapte ide balliste por që nuk kishte mbështetës. Mirëpo propaganda serbe jua kishte injekti idenë balliste katundarëve kosovarë edhe ashtu të gatshëm për rezistencë dhe kryengritje kundër shtypjes serbe, për me i shkatërru më lehtë, që me pasë edhe alibi për dënimin dhe dërrmimin e tyne, si elementë antikomunistë (dhe si të tillë luftoheshin edhe nga trupat partizane në Shqipni).

Së dyti, shfaqja e grupeve marksist-leniniste në Kosovë në vitet 70-të dhe 80-të që quen në kryengritjen e vitit 1981 ishte poaq e mirëseardhun për serbët, të cilët godisnin rininë studentore (stalinistë të dalë mode) pamëshirshëm, dhe kështu merrnin simpatitë e Perëndimit krejtësisht antistalinist.

Vetëm lëvizja e vitit 1968 dhe ajo e vitit 1990 (që identifikohet me Rugovën) ishin tipike kosovare sepse ndërlidheshin elitat kulturore me ato të pushtetit dhe me borgjezinë (shtresat e pasuna e të mesme) pa ndikim të madh të të majtës komuniste dhe vetëm këto dy lëvizje patën sukses që të marrin simpatinë e Perëndimit. Pas demonstratave të 68-ës, Tito dhe establishmenti i shtetit jugosllav nisën reforma në sistem, duke i hyrë hartimit të amandamenteve të Kushtetutës së vitit 1974, u lejue flamuri shqiptar, u hapën fakultetet e para, e pastaj Universiteti, u forcu pushteti vendor autonom…

Tek me lëvizjet e 1990-ës kosovarët u banë të njoftun, shumë të njoftun në kauzën e tyne për liri e demokraci në përmasa botnore duke fitu simpatitë e humbuna të Perëndimit. Pa këto dy lëvizje, Kosova nuk do të piqej për me u ba nji shtet sovran, i cili ndonëse i zhvatun dhe i poshtnuem nga politikanë hajdutë, rri në kambë, sepse e mban inercioni, asht projekti ma i madh i aleatëve pas zbarkimit në Normandi dhe pas kapërcimit të Luftës së Ftohtë.

Prandaj, Republika e Kosovës asht projekt i përhershëm dhe nuk ka projekte ma të mëdha e ma ideale se shteti kombëtar i kosovarëve që ia vlen për me luftue dhe me u flijue për to.

E nëse veç u duhet ndonjë paralele atëherë po them që Josip Tito ishte politikan kurajoz me plot vetiniciativë, humanist e pragmatist – me një fjalë, artist i qeverisjes! Kurse Enveri ishte tekanjoz e idhnak, i padijshëm dhe agresiv. Në thelb e vuente kompleksin e atvrasjes por edhe atë të kastrimit. Ishte edhe mediokër. Politikisht i paemancipuem.

Cili mendoni se është rreziku më i madh i shoqërisë kosovare, veç korrupsionit?

MATOSHI

Natyrisht, dështimin e shtetit e dikton mossundimi i ligjit. Pra, “Rule of laë” asht ai momenti kyç që të ban me u dokë nëse je apo jo, shtet i pavarun. Kapja e shtetit nisë me gjyqësorin dhe nëse njË shoqni nuk arrin me e instalu gjyqtarin e pavarun si institucion mbipolitik, ajo shoqni e ka humbë kompasin për me qenë shoqni e prosperueme, sepse mungesa e sundimit të ligjit e dërrmon shtetin, e përplas vet shoqninë dhe në fund e cënon lirinë kombëtare. Unë shpresoj se do të qëndroj projekti i Kosovës së pavarun vetëm tu i var shpresat tek amerikanët, që e duen Kosovën shtet sovran, për me qenë storje e suksesit të tyne.

Nëse do të mbaheshin zgjedhjet tani, cilën parti do t’iu sygjeronit kosovarëve që ta votonin?

MATOSHI

Druej që PDK-ja fiton. Nuk asht se ka vizion për vendin dhe dihet, asht parti e kriminalizueme – por tashti nga publiku kosovar perceptohet si interes individual dhe familjar. Të mos harrohet se PDK-ja e dominon policinë, AKI-në, FSK-në – i kanë nën kontroll rreth 40 mijë veteranë lufte të rremë apo të vërtetë, i paguan ata, i ka rreth 80 mijë zyrtarë në administartën publike, që e shohin si interes këtë parti, që tuten me ndryshu destinin e votës, tutën se humbin punën dhe prestigjin shoqnor.

PDK ka pra nën tutelën e vet edhe Universitetet kosovare, ato publike dhe private, ka shumicën e mediave nën kontroll, radion dhe televizionin publik, aparatin e dhunës dhe mbështetje ende të madhe ndërkombëtare…

Tranzicioni kulturor e përfshiu edhe Kosovën. Për rrjedhojë, ndodhi një hapje e madhe seksuale. Të rinjtë kosovarë janë të frustruar seksualisht. A mendoni se duhet mësuar edukatën seksuale, si lëndë nëpër shkolla?

MATOSHI

Së pari duhet me e thanë se Kosova kulturalisht ende nuk e ka arritë modernitetin dhe tashti gjendet përballë postmodernes dhe performatizmit, dhe në këtë pozitë ajo natyrshëm asht në konfuzion identitar, etik dhe historik. Ua shihni bustet e shtatoret ultra socrealiste kosovarëve? I shihni se si i kanë defiguru luftëtarët e lirisë gjithandej sipas një modeli skulpture që ma as në Kinë nuk ndiqet, ndoshta pos në Korenë e Veriut. Ua shihni ligjërimet ideologjike dhe etnonacionaliste tek e shesin si historiografi? Në anën tjetër, në planin individual, kosovarët i ka kapluar frustrimi seksual sidomos pas përhapjes së internetit dhe rrjeteve sociale, kur ishin në gjendje të merrnin informacione të shumta për hapjen dhe liritë seksuale në Perëndim, në shoqëritë moderne – kosovarët së këndejmi kanë mbetur mes orientit (rikthmit në parimet fetare) dhe oksidenitit (liria e mendjes dhe trupit, hapja…)

Edukimi seksual padyshim se duhet të ligjerohet në shkollën kosovare dhe atë së paku që nga klasa e shtatë e deri tek klasa e tretë e shkollimit të mesëm. Duhet të mësohet për trupin dhe mendjen, për pubertetin dhe kontraceptivët, për veten seksuale dhe tjetrin, partnerin, për qiftimin dhe dashurinë, për kontrollin e seksit nga pushteti dhe gjuhën seksiste, për misogjininë, për abuzimet seksuale dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme… Përndryshe qysh me folë për frustrimin seksual kur me folë për seksin në familjen dhe shkollën kosovare asht ende tabu.

E tabu ende kanë vetëm shoqnitë primitive.

Ju e mbështesni fuqishëm idenë e kombit kosovar. Cilat janë figurat kombëtare të Kosovës, sipas jush?

MATOSHI

Patriotizmi dhe nacionalizmi shqiptar që nga epoka e kombkrijimit (1878 – 1925) nuk është transformuar në fuqi kohezive për mirëqenie, industrializim e modernizim, perëndimorizim, porse ka mbetë aty ku ishte: nacionalizëm defansiv, me premisa primitive, fetare e ideologjike (kryesisht të majta), si pasojë e dhunës dhe izolimit enverist. Sëkëndejmi, ky nacionalizëm nuk është transformuar në patriotizëm ligjor/kushtetues, që garanton vepra të mëdhaja të përbashkëta sot dhe nesër, porse ka mbetur i tillë, etnonacionalizëm verbal që përplas grupet e ndryshme të shoqërisë mes veti, partitë politike pra edhe institucionet e shtetit. Pak janë ata atdhetarë të vërtet shqiptar sot, që mund ta kuptojnë kontekstin e të qenit patriot kushtetues kosovar sot, që ëshët thjesht zëvendësim i patriotizmit shqiptar që nga ndarja dhe zaptimi i hapësirës jetike shqipatre, më 1913. Pra, patriotizmi shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit e deri tek pavarësia e Shqipërisë më 1912 dhe të gjitha përpjekjet e shqiptarëve etnikë për liri nën tre Jugosllavitë sot duhet transformuar në kosovarizëm, sepse është koha kur të gjithë, pra edhe shqiptarët e “Shqipërisë së poshtme” (term i përdorur nga autori John Foster Fraser në librin e tij me të njëjtin titull) duhet të vihen në shërbim të etablimit të shtetit kosovar dhe afirmimit ndërkombëtar të tij, e jo t’i qojnë hundët pse kombëtarja kosovare ka joshur dy-tre futbollistë që më parë kanë luajtur me top për kombëtaren shqiptare!?

E sot – po e huazoj këtë postulat nga Jetlir Buja – duhet t’u thuhet me britmë shqiptarëve të ndihen  kosovarë sepse kjo dmth, të ndihen të përgjegjshëm për vete, për lirinë e tyre dhe për fatet e tjrëve, në këtë botë të vogël e të çalë…E lexuat çfarë I tha Boris Tadiq Skënder Hysenit: “Nuk ka kosovarë, ka vetëm shqipatrë dhe serbë… po nëse ju i thoni se ka kosovarë, atëherë në veri të Kosovës janë serbë! E lexuat së voni çfarë tha Ivica Daçiqi, ish zadhanësi i Millosheviqit? “Nuk ka kosovarë por vetëm shqiptarë të Kosovës dhe serbë”, e kuptoni çfarë po u thonë serbët? Ju duhet të jeni shqiptar të Kosovës, pra atnitet pa shtet, sëkëndejmi pakicvë etnike mnën Serbi ose të shumtën ju duhet të bashkoheni me Shqipninë si pjesë e asaj etnie, porn as e lini neve gati gjysmën e Kosovës, Pra ju nuk jeni entitet juridik-politik, shtet dhe komb Sovran si subjekt i të drejtës ndërkombëtare! A e kupton kush këtë kurth?

A e kuptojnë Albin Kurti e Visar Ymeri, a kanë ata ndonjë grue e burrë që di me i dallue konceptet themeltare identitare si dhe ato për gruopet shoqnore e politike.

A e dijnë këta burra se kulmi i organizimt politik të një shoqnie, të nji bashkësie njerëzore asht shteti kombëtar, në këtë rast Republika e Kosovës. Porse duket ashiqare, sikur Kryeministri sikur bujku e mendojnë Kosovën si projket të përkohshëm deri në arritjen e nji ideali tjetër, nji projekti madhor të shekullit 19?

Kosova i ka sëkëndejmi figurat e veta kombëtare që nga Fadil Hoxha e Gazmend Zajmi deri te Ibrahim Rugova e Fehmi Agani, e shumë e shumë të tjerë.

Cili është mendimi juaj për Adem Demaçin?

MATOSHI

Adem Demaçi asht sinonim i shqiptarit të shtypur nën Jugosllavi, i cili mbledh guximin me e kundërshtu shtypjen, porse i mbruejtun nga ideologjia komuniste, përkatësisht enveriste. Njeri i sakrificës, letrar mediokër dhe viktimë e propagandës së shtetit komunist shqiptar, Demaçi asht nji figurë tragjike – ikonë e viktimizimit në Luftën e Ftohtë – siç janë tragjikë të gjithë ata, gratë dhe burrat e grupeve markist-leniniste që vuajten burgjeve të ish Jugosllavisë porse për idenë e Republikës së Kosovës. Kryeneç i paepur, enverist deri në shkallë religjioziteti, kontravers dhe pa asnji përgatitje teorike, Demaçi ishte porse luftëtar kulmor deri në vetflijim për liri e barazi të shqiptarëve nën Jugosllavi. Mirëpo kthesa historike pas ramjes së Murit të Berlinit dhe shpërbamjes së Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë federale, fryma e demokratizimit, atë e konfuzionoi dhe në nji farë mënyrë e nxorri nga loja duke e lënë në bredhje të gjatë për ta definuzr epokën post Murit të Berlinit. Thjesht i humbur në postmodernën politike, Demaçi u bani shërbim të keq Kosovës duke mbrojtur deri në fund kastën kakistokratike në pushtet.

 

Shpërndaje në: