Peci: Nuk përjashtohet një luftë hibride në Kosovë

Peci: Nuk përjashtohet një luftë hibride në Kosovë

“Në rrethanat aktuale, gjasat për luftë në Kosovë janë të vogla, por sipas tij, lufta hibride nuk mund të përjashtohet”, kështu deklaroi drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci.

Ai tha se Serbia, nëpërmjet armatosjes së popullatës serbe në Kosovë, mund të çojë tek incidentet e armatosura.

“Në rrethanat e tanishme gjasa për luftë janë tejet të vogla, mirëpo nëse rrethanat ndërkombëtare ndërrojnë, çfarë ndërron Rusia dhe Serbia, janë çarjet në Perëndim, atëherë ky opsion, sidomos në aspektin hibride nuk është i pamundur. Mirëpo në rrethana të tanishme derisa Perëndimi është i konsoliduar në raport me Rusinë dhe ndikimin e saj, gjasat janë të vogla .Mund të ketë incidente apo të armatosura, por një luftë e mirëfilltë nuk është e mundshme sipas meje”, tha ai në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV.

Peci thotë se me luftë hibride mund të nënkuptohet edhe pamjet që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i publikoi javë më parë, ku thuhet se serbët në veri po armatosen.

Ndërsa, profesori i shkencave politike, Arben Hajrullahu, tha se aktualisht, sipas gjuhës serbe, Kosova është në një paqe negative.

“Nuk janë dy shtete që jetojnë pranë me raporte normale. Asnjëra s’ka raporte normale, shpresohet që nuk do të ndodhë kurrë, por shpresat duhet të jenë më të mëdha që të ketë kujdes e përgatitje sikur të niste sot, e jo nesër. Nuk mund ta interpretoj ndryshe që vazhdimisht i mohohet e drejta Kosovës të ekzistojë”, deklaroi Hajrullahu.

 

Shpërndaje në: