Për dy qese plastike, maqedonët do të paguajnë aq sa kushton një bukë

Për dy qese plastike, maqedonët do të paguajnë aq sa kushton një bukë

E marta e 30 nëntorit, 2021, është dita e fundit që Millena Ivkovska shërbehet me qese plastike falas në një shitore të Shkupit, ku ajo bën pazarin çdo ditë për më shumë se 20 vjet.

Në bazë të Ligjit të ri për menaxhimin e ambalazheve dhe mbeturinave nga ambalazhi, i cili u miratua më 4 tetor, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, nga data 1 dhjetor, për çdo qese plastike të biodegradueshme do të duhet të paguajnë 15 denarë (rreth 25 centë).

Këto qese mund të riciklohen dhe përpunohen.

Qeset e tilla, deri më tani, janë dhënë falas në disa dyqane ose të njëjtat janë paguar nga 1 deri në 10 denarë.

Millena thotë për Radion Evropa e Lirë se shtrenjtimi i qeseve të plastikës do ta detyrojë atë të mbajë me vete qese nga pëlhura, për të mos paguar 30 denarë për dy qese të plastikës. Me aq para sa kushtojnë ato, thotë se do të blejë një bukë.

“Le të jenë 15 denarë, mirë bëhet që shtrenjtohen qeset e plastikës, sepse e shihni sa shumë i kemi ndotur hapësirat kudo. Do të marr një qese nga pëlhura që nga dita e sotme, ashtu siç bënte edhe nëna ime kur dilte për të blerë në treg”, thotë Millena.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, Naser Nuredini, thotë se me ligjin e ri, në bazë të të cilit kufizohet përdorimi i qeseve të plastikës, do të mundësohet menaxhimi i mbeturinave në bazë të standardeve evropiane.

Ai thotë se paratë e mbledhura nga shitja e qeseve me çmim më të lartë, do të shkojnë në një fond të veçantë, i cili do të destinohet për mbrojtjen e mjedisit, si dhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave.

“Fondi që do të krijohet nga këto 15 denarë për çdo blerje të një qeseje plastike, do të shkojë në një fond të veçantë, që do të investohet në mjedis, por do të investohet edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve se si të menaxhojnë mbeturinat në vendin tonë. Ideja është që ai që ndot, të paguajë”, thotë Nuredini.

Nga iniciativa qytetare “Ndal qeset e plastikës”, e cila ka qenë e zëshme për sa i përket, sipas saj, përdorimit të pakontrolluar të plastikës, thonë se me ligjin e ri, fatkeqësisht, nuk ndalohet përdorimi i tërësishëm i qeseve të plastikës, ashtu siç është vepruar në shumë vende të Bashkimit Evropian.

“Nuk bëhet fjalë për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës dhe zëvendësimin e tyre me qese të letrës apo nga materiali i pëlhurës, por, fatkeqësisht, vetëm për rritjen e çmimit të tyre. Kështu nuk veprohet në vendet e Evropës, pjesë e së cilës synon të bëhet Maqedonia e Veriut”, thotë Zdravko Saveski nga iniciativa “Ndal qeset e plastikës”.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, ai thotë se në Maqedoninë e Veriut hidhen rreth 14 tonë qese plastike brenda ditës.

“Brenda ditës shfrytëzohen 14 tonë qese plastike. Mund ta imagjinoni se sa është e lartë kjo shifër. Provoni këtë shifër ta vizualizoni dhe do ta kuptoni seriozitetin e problemit me përdorimin e qeseve të plastikës, pasi e dini se nëse hidhni një qese plastike në ndonjë mjedis natyror, do të duhet të prisni mijëra vite që ajo të degradohet plotësisht. Atëherë, mund ta imagjinoni dëmin e madh që po bën helmimi i tokës nga qeset e plastikës, grimcat e të cilave i konsumojmë përmes produkteve ushqimore”, thotë Saveski.

Shpërndaje në: