Për herë të parë logopedët do të angazhohen nëpër shkollat e Prishtinës

Për herë të parë logopedët do të angazhohen nëpër shkollat e Prishtinës

Përfshirja sa më e gjerë e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla mbetet synim i autoriteteve kompetente, si dhe i familjarëve të këtyre fëmijëve.

Krahas nevojës për asistentë e psikologë, shkollat kanë nevojë edhe për logopedë, të cilët është vlerësuar se mund të ndihmojnë fëmijët që kanë nevojë.

Këtë vit shkollor, 99 nxënës me nevoja të veçanta, të cilët vijojnë mësimin në shkollën fillore, “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, do të marrin shërbimet nga logopedët, të cilët janë angazhuar në këtë program pa pagesë. Ky është një pilot-projekt që mendohet se do të zgjerohet edhe në shkollat tjera ku ka mundësi.

Leonora Bajraktari, këshilltare komunale në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka qenë nismëtare që ky shërbim të futet falas në shkolla, si mungesë e kamotshme.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë, se arsyeja pse kanë startuar me shkollën në fjalë është se aty janë 99 fëmijë me nevoja të veçanta, familjet e të cilëve jetojnë me asistencë sociale dhe mundësia e marrjes së këtij shërbimi ka qenë shumë e vogël, meqë është mjaftë e kushtueshme financiarisht.

Në ordinanca private, prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta për shërbime logopedike kanë paguar deri në 600 euro në muaj.

“Për herë të parë në Republikën e Kosovës po ofrohet shërbimi falas i logopedëve në shkolla. Ky shërbim është shumë i shtrenjtë dhe shteti asnjëherë nuk e ka siguruar. Unë kam vënë kontakte dhe kemi vendosur që këto shërbime t’i ofrojnë studentët e logopedisë, të cilët kanë pranuar të angazhohen në mënyrë vullnetare”.

“Unë po ndihem shumë krenare që së bashku me logopedët vullnetarë kemi arritur që këtë shërbim ta fusim në shërbim të fëmijëve. Ky projekt me kohë do të zgjerohet”, tha Bajraktari.

Ndryshe, Kosova ka 43 mijë fëmijë me nevoja të veçanta, derisa 38 mijë fëmijë nuk vijojnë shkollimin.

Sipas ekspertëve, një ndër faktorët që fëmijët me nevoja të veçanta nuk vijojnë mësimin, janë kushtet joadekuate në shkolla. Njëra nga nevojat që kanë këta fëmijë, janë edhe logopedët.

Një nënë e fëmijës me nevoja të veçanta, Mirjeta K. duke folur për Radion Evropa e Lirë tregon rëndësinë e pranisë së logopedëve në shkolla dhe ofrimin e shërbimeve falas.

“E kam fëmijën me nevoja të veçanta që ka nevojë për trajtimeve logopedike. Ne nuk kemi pasur mundësi ta dërgojmë për ta marrë këtë shërbim shkaku i çmimeve që nuk kemi mundur t’i përballojmë dhe e kemi lënë anash. Në muaj kushton 600 euro trajtimi logopedik”.

“Tash në shkolla kam dëgjuar që do të ketë logopedë që do t’u ofrojnë falas këtë shërbim fëmijëve. Kjo do të thotë shumë për ne si prindër. Vetëm ata që kanë këso probleme e kuptojnë rëndësinë e kësaj iniciative”, tha ajo.

Ndryshe fjala logopedi përbëhet prej dy fjalë me prejardhje nga greqishtja dhe ato janë: logos-fjalë dhe paidei-edukim, që do të thotë edukim i fjalës ose i të folurit.

Sidoqoftë, me gjithë angazhimet, shkollat në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen edhe me problemin e mungesës së asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe të psikologëve e logopedëve.

Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta me vite të tëra kanë paguar asistentë për fëmijët e tyre në shkolla. Në shumicën e shkollave gjithashtu mungon infrastruktura e duhur për këta fëmijë.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, në një përgjigje dhënë më parë Radios Evropa e Lirë, thonë se janë duke punuar për ngritjen e kapaciteteve profesionale nëpër shkolla, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme që mundëson qasjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ata thonë se MASHT-i në bashkëpunim me partnerë vendorë e ndërkombëtarë, ka bërë trajnimin e mbi 8 mijë mësimdhënësve të shkollave fillore e të mesme të ulëta, përfshirë edhe institucionet parashkollore, në programe që kanë për metodologjitë e mësimdhënies dhe qasjes me fëmijët me aftësi të kufizuara.

Shpërndaje në: