Për katër muaj, dy aksidente autobusi që prodhuan shifra të llahtarshme vdekjesh

Për katër muaj, dy aksidente autobusi që prodhuan shifra të llahtarshme vdekjesh

Kosova dhe i gjithë rajoni është tronditur edhe sot nga një aksident tmerrues i një autobusi që po bartte kryesisht shqiptarë të rinj në bord. Por, një tjetër aksident tmerrues kishte ndodhur më pak se katër muaj më parë, e ku po ashtu pasagjerët [shumica] kishin qenë shqiptarë.

Në orën 6 e 20 të mëngjesit të 25 korrikut, ditë e diele, 10 qytetarë të Kosovës do të vdisnin dhe 45 të tjerë do të plagoseshin në qytetin Slavonski Brod të Kroacisë derisa ktheheshin për në Kosovë nga Frankfurti.

Autobusi kishte pasur në bord plot 67 pasagjerë.

Ky rast kishte hapur një debat të madh në Kosovë mbi sigurinë e autobusëve, dhe posaqërisht mërgimtarëve të cilët ktheheshin në vendlindje me anë të autobusëve për arsye ekonomike, përcjell Periskopi.

Por, në rastin aktual tragjedia është edhe më e rëndë.

Të paktën 45 qytetarë janë raportuar të vdekur tashmë, shumica prej të cilëve shqiptarë, dhe shumica dërrmuese prej të cilëve fëmijë dhe të rinj prej moshës 20 deri në 30 vjeç.

Ata po shkonin nga Shkupi për një shëtitje ekskursion në Stamboll.

Autobusi kishte bërë aksident gjatë natës dhe ishte shkrumbuar nga flakët në Strump. Ai i përkiste kompanisë “Besa Trans”.

Pra, përveç numrit të viktimave që është më shumë se katër herë më i lartë, edhe mosha e re e viktimave e bën tragjedinë edhe më të trishtë.

Ende nuk janë konfirmuar shkaqet që çuan drejt aksidentit, sidoqoftë meqë aksidenti i parë dështoi të rriste debatin mbi sigurinë në trafik, të shpresojmë që aktualisht do të kemi më shumë seriozitet për çështjen./Periskopi

Shpërndaje në: