Përfundon paraqitja e provave në rastin ndaj Salih Mustafës, deklaratat përmbyllëse në shtator

Përfundon paraqitja e provave në rastin ndaj Salih Mustafës, deklaratat përmbyllëse në shtator

Trupi Gjykues në rastin ndaj Salih Mustafës në Hagë i ka dhënë fund paraqitjes së provave dhe ka urdhëruar palët që të dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare deri më 21 korrik. Gjithashtu është caktuar periudha 13 deri më 15 shtator për dhënien e deklaratave përmbyllëse.

Për dëgjimin e deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues I i ka lënë ditë rezervë 16 shtatorin, bëhet e ditur kështu në një njoftim të Dhomave të specializuara të Kosovës.

“Më 20 qershor 2022, Trupi Gjykues I i dha fund paraqitjes së provave në çështjen Mustafa, i urdhëroi palët të dorëzojnë dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare deri më 21 korrik dhe caktoi periudhën nga 13 deri më 15 shtator (dhe 16 shtatorin si ditë rezervë) për dhënien e deklaratave përmbyllëse”, thuhet në njoftim.

Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka filluar në shtator të vitit 2021.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruara i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur edhe është arrestuar.

Shpërndaje në: