Përfundon seanca ndaj Gucatit e Haradinajt, mbrojtja shpreh shqetësimet ndaj ZPS-së

Periskopi.com Lajme

Mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt kanë paraqitur çështjen para trupit gjykues, për veprën për të cilën akuzohen – pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, frikësim të dëshmitarëve e shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees, ka nisur mbrojtjen me prezantimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, e që si i tillë duhet të veprojë dhe të respektohet e drejta e shprehjes së lirë.

Ai ka thënë se drejtësia duhet të ofrohet për të gjithë dhe jo vetëm për disa, teksa foli për punën e Gjykatës Speciale dhe kundërshtimin që ish-krerët e OVL të UÇK-së patën bërë ndaj saj.

“Sipas ligjit ky institucion është një institucion i Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës, është e drejtë që populli i Kosovës të veprojë si i tillë. Republika moderne e Kosovës i cakton vlerën më të lartë lirisë së shprehjes dhe opinionit. Këto liri janë fituar nga brezi i Hysni Gucatit duke sakrifikuar jetën dhe gjakun e tyre”, u shpreh ai.

Ai shtoi se “krah njohjes së kësaj sakrifice, Republika e Kosovës kërkon që institucionet e veta të jenë të hapura dhe transparente, që rrezja e dritës të ndriçojë të gjitha cepat e organeve administrative dhe gjyqësore”.

“Ligji për klasifikimin e informacioneve është i qartë, klasifikimi i informacionit si i kufizuar nuk duhet të përdoret si instrument për të fshehur shkeljet e ligjit, abuzimin me detyrën, mungesën e efikasitetit ose gabimin. Nuk duhet të përdoret për të parandaluar cenimin e një personi apo organizate. Ne po kërkojmë që të kontrollojmë se çfarë bëhet nga puna e personave të dyshuar duke dhënë vetëm versione te censuruara për publikun. E tashmja dhe e ardhmja e Kosovës duhet të jetë realitet ku drejtësia ofrohet për të gjithë dhe jo vetëm për disa”, ka thënë ai.

Rees ka thënë se Gucati është shprehur sa i përket shqetësimeve lidhur me Gjykatën Speciale, porse sipas tij, fjalën e tij i janë kthyer kundër nga prokurori i specializuar i cili e ka etiketuar Gucatin si oponent të shprehjes ashpër kundër institucionit.

“Një shprehje që Gucati ka përdorur është që ZPS nuk ndjekë drejtësinë për të gjithë por vetëm për ca. Pretendimi i prokurorit të specializuar në deklaratën hapëse se kjo gjykatë duhet të jetë një që shtytet nga viktimat, cenohet nga veprimet e zyrës së vet e cila ndjek jo rrugën e dyerve të çdokujt që mund të kenë prova për kriminelë, por mandatin e vet. Është arrogante dhe e pasaktë në masa të barabarta për ZPS që të prezumojë që drejtimi që ka marrë për të ndjekur këtë agjendë është e njëjtë në të gjitha aspektet e mundshme”, përfundoi ai.

Pas kësaj, ka përfunduar për sot seanca gjyqësore.