Periskopi merr telefonata kërcënuese nga Gjilani: Një femër dhe dy meshkuj flasin ‘në emër të drejtoreshës së arsimit’

Periskopi merr telefonata kërcënuese nga Gjilani: Një femër dhe dy meshkuj flasin ‘në emër të drejtoreshës së arsimit’

Pas raportimit të Periskopit lidhur me postimin skandaloz të drejtoreshës së sapo emëruar të arsimit në Gjilan, Periskopi po merr telefanata të vazhdueshme nga një person që thotë se është asistente e drejtoreshës dhe dy burra që nuk po na prezantohen në telefon.

Personi [femër] që na ka telefonuar, tregohet mjaft e shkujdesur në komunikim dhe nëse vërtetë është asistente e një drejtoreshe arsimi – kjo është tejet shqetësuese. Personi në fjalë i drejtohet Periskopit me thirrma si ‘urgjent, urgjent me e heq atë lajm’.

Pas këtij personi, Redaksinë tonë e kanë telefonuar edhe dy të tjerë [meshkuj] që poashtu kërkojnë ta heqim lajmin urgjentisht.

Si Redaksi, lajmin nuk do ta heqim as urgjentisht e as dalëngadalë, duke qenë se qëndrojmë në të drejtën tonë për raportim, informim dhe interpretim.

Periskopi i bën thirrje drejtoreshës së arsimit në Gjilan, znj. Demiri, që të sqarojë këto telefonata dhe nëse vërtetë ndonjëri prej këtyre personave bën pjesë në ekipin e saj – minimumi – të distancohet nga gjuha e tyre.

Por, ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që ta trajtojë rastin pasiqë nuk dimë se çka mendon personi pas telefonit nga Gjilani – se cilat janë veprimet që i mendon pas fjalës urdhërore ‘urgjent’, si dhe prezantimet e dyshes [meshkuj] se ‘nuk është me rëndësi se kush janë’ – po shqetësojnë redaksinë tonë të gazetarëve. Përveç Policisë së Kosovës, lusim edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, që të reagojë ndaj rastit në fjalë.

Shpërndaje në: