Periskopi mëson datën e meçit mes kosovarit dhe djalit të Arkanit – Haradinaj ia ndaloi të ndeshet në Beograd

Periskopi mëson datën e meçit mes kosovarit dhe djalit të Arkanit – Haradinaj ia ndaloi të ndeshet në Beograd

Petrit Mazrekaj është boksieri që ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve kohët e fundit, pasi u konfirmua se do të ndeshet me birin e kriminelit serb, Arkan, Velko Razhnjatoviq, shkruan Periskopi.

Sigurisht se për kosovarin ky do të jetë meçi më domethënës në karrierën e tij, derisa ai ka një bilanc prej 17 fitoreve e zero humbjeve, 13 prej të cilave i ka mbyllur me nokaut.

Ishte vetë Razhnjatoviq ai që kishte kërkuar të ndeshet me 27-vjeçarin nga Kosova, me këtë të fundit që e pranoi ofertën me kënaqësinë më të madhe.

Ka pasur shumë spekulime rreth datës së saktë dhe lokacionit ku zhvillohet meçi.

Periskopi ka kontaktuar me Mazrekajn, i cili ka zbuluar detaje ekskluzive rreth meçit.

I pyetur në cilin rund pret ta nokautojë kundërshtarin, kosovari – i cili bokson në kategorinë super të mesme në versionin WBC – u shpreh:

“Mendoj se sikur me vëllezërit e tij, njejtë do të ndodh edhe me të, e rrëzoj në rundin e parë, maksimum në rundin e dytë.”

Mazrekaj ka konfirmuar edhe datën e saktë të ndeshjes – 31.08.2019.

Sa i përket lokacionit ku do të zhvillohet meçi i shumëpritur, Mazrekaj ka zbuluar një detaj interesant nga takimi i tij me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, i cili thotë se ia ka ndaluar atij të ndeshet në kryeqytetin e Serbisë, Beogradin.

“Lokacioni ende nuk është vendosur për shkak se ata [serbët] po kërkojnë që me çdo kusht me boksu në Beograd,” shprehet fillimisht ai.

“Mirëpo, mua kryeministri Ramush Haradinaj, e shumë të tjerë, ma kanë ndaluar me shku në Beograd pasi nuk ka siguri për mua, meqë kam rrahur edhe të tjerë atje, tash jemi ende në negociata.”

Kujtojmë se në të kaluarën Mazrekaj ishte ballafaquar tri herë me boksierë nga Serbia. Në të tri këto përballje ai kishte triumfuar.

Mazrekaj e kishte nokautuar serbin Mihajl Halas dy herë, fillimisht në vitin 2012 dhe më pas më 2015.

Boksieri kosovar kishte pasur punë edhe me një tjetër serb, Mihajlo Fincur, të cilin poashtu e kishte nokautuar në qershor të vitit 2015.

Mazrekaj pastaj u pyet nëse është konsideruar ndonjëherë si lokacion Prishtina për zhvillimin e meçit.

“Po,” thotë ai. “Vetëm se ende nuk ka pasur propozim tjetër përveç Beogradit.”

I pyetur se cilin boksier e idolizon, Mazrekaj dha një përgjigje tejet interesante.

“I përcjelli të gjithë, prej të gjithëve ka mundësi të mësoj, mirëpo e idolizoj Ramush Haradinajn.

“Më të qëndrueshëm e më të fortë s’ka.”  /Periskopi.com/

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: