Përjashtohet nga partia politikani që e sulmoi me gurë kryeministrin kanadez

Përjashtohet nga partia politikani që e sulmoi me gurë kryeministrin kanadez

Partia Popullore e Kanadasë ka përjashtuar një nga zyrtarët e vet lokalë, i cili dyshohet se hodhi zhavorr në drejtim të Kryeministrit Justin Trudeau këtë javë. Lajmin e bëri të ditur një zëdhënës i kësaj partie.

Trudeau u godit nga disa gurë të vegjël të hënën përderisa po mbante fushatë në Ontario para zgjedhjeve të 20 shtatorit. Ai u godit përderisa po kthehej në autobusin e fushatës, kur një grumbull njerëzisht po brohorisnin kundër vaksinave për Covid-19.

Policia lokale ka thënë se është duke e hetuar rastin, por ende nuk kanë ngritur ndonjë akuzë. Zëdhënësi Martin Masse nga Partia Popullore e Kanadasë konfirmoi përmes një shkrese elektronike se Shane Marshall është shkarkuar nga pozita që ka pasur në parti.

Ndryshe, Liberalët e Kryeministrit Trudeau muajin e kaluar u detyruan që të anulonin një organizim për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë, të lidhura me protestuesit kundër vaksinave, të cilët po shfaqen nëpër tubime të fushatave për ta penguar kryeministrin.

Rreth 74 për qind e kanadezëve që i plotësojnë kushtet për vaksinim tashmë janë vaksinuar, por vala e katërt e pandemisë tashmë po përhapet në këtë shtet, kryesisht në mesin e personave që s’janë vaksinuar.

Shpërndaje në: