Përparim Rama: Do të fitojmë, Prishtina e ka kuptuar se duhet transformim rrënjësor

Përparim Rama: Do të fitojmë, Prishtina e ka kuptuar se duhet transformim rrënjësor

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës që ia doli të futej në balotazhin për kryeqytetin me rezultat mjaft të mirë, ka dalë me një status në Facebook ku shpreh bindjen për fitore.

Në zgjedhjet e 14 nëntorit ai do ta ketë përballë Arben Vitinë, ish ministrin e Shëndetësisë, që prin me rreth 10 mijë vota.

Por, Rama shprehet i bindur se do të ngadhënjejë më 14 nëntor, përcjell Periskopi.

“Jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuni që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 Nëntor.” – ka thënë z. Rama ndër tjerash.

Ai ka deklaruar se Prishtinës i duhet një transformim rrënjësor, e të cilin do ta bëj realitet.

Statusi i plotë:

E dashur Prishtinë,

Të Dielen kaluam bashkë një proces shembullor.

Ndjehem thellësisht mirënjohës për votën e secilit prej jush që më dha mbështetje për të shkuar në raundin e dytë. Jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuni që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 Nëntor.

Unë besoj se gjërat nuk ndodhin rastësisht. Prandaj, nuk po më duket rastësi pse pikërisht në këtë moment, kaq shumë bashkëqytetarë po besojnë se Prishtinës i duhet përvoja, njohuria dhe gatishmëria ime për t’i bërë realitet planet tona konkrete për një Prishtinë më të dinjitetshme për të gjithë.

Prishtinës i duhet me marrë frymë e me u shëru prej kaosit urban. E unë, do t’i përvishem punës me e bë pikërisht këtë.

Bashkë me ekipin tim, këtë garë po e vazhdojmë me guxim, sepse vetë historia e ka dëshmuar se ata që guxojnë, dhe vihen në shërbim të së mirës së përbashkët, mund ta bëjnë ndryshimin e madh. Kjo nuk është vetëm ëndërr, por plan konkret e praktik  lehtësisht i jetësueshëm me përkrahjen tuaj.

Në javët e ardhshme do të shihemi sërish bashkë për t’u treguar banorëve të Prishtinës se sa i rëndësishëm dhe jetik është për qytetin dhe fshatrat tona vizioni ynë për transformimin rrënjësor të Prishtinës.

Këto ditë, do t’ua shtrijmë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës pa dallim, sepse kjo fitore është për të gjithë ju, përtej bindjeve tuaja partiake.

Unë ju ftoj që t’i bashkoheni rrugëtimit tonë të fitores.

Shpërndaje në: