Përparim Rama ende s’e di se me kë do të qeveris në Komunën e Prishtinës

Përparim Rama ende s’e di se me kë do të qeveris në Komunën e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ende nuk ka marrë  nga partitë opozitare ndonjë propozim për koalicion të gjerë, pas ftesës publike që u bëri gjatë betimit të tij në Kuvendin Komunal.

Këtë e deklaroi Rama në ditën e dytë të tij si kryetar i Prishtinës, pasi priti  për herë të parë në vizitë  kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas të parit të kryeqytetit, ata janë ende në pritje.

“Ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile që të na bashkëngjiten në qeverisje. Deri më tani jemi duke pritur, e kemi stafin të koordinuar por jemi duke pritur nga partitë politike nëse kanë ndonjë propozim të tyre dhe kështu i shtyjmë procesit përpara që të krijojmë një koalicion të gjerë. Ende nuk kemi marrë ndonjë propozim por po presim”, ka thënë Rama.

Arsyeja e vizitës së Abdixhikut  ishte për t’i dhënë mbështetjen e plotë të LDK-së gjatë qeverisjes së Ramës.

“Kam ardhur për ta uruar kryetarin e ri të kryeqytetit. Është vizitë për të dhënë mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarin, ekipin e tij dhe projekteve madhore që e presin kryeqytetin në përgjithësi dhe ato që Përparimi do i realizojë gjatë planit të tij dhe Prishtina përfundimisht do të transformohet në një kryeqytet që e kemi pritur të gjithë”, është shprehur Abdixhiku.

Përveç këtij takimi, Rama ka zhvilluar takime edhe me stafin e komunës, poashtu edhe me kompanitë e ndryshme për mirëmbajtjen e kryeqytetit.

Shpërndaje në: