Përparim Rama: Kurti të punojë si kryeministër, të mos xhirojë spote për Arben Vitinë

Përparim Rama: Kurti të punojë si kryeministër, të mos xhirojë spote për Arben Vitinë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Arben Vitinë se po përdorë qeverinë në përpjekje për të marrë pushtetin në kryeqytet.

Në një konferencë për medie, Rama tha se kryeministri Albin Kurti duhet të përdorë pozitën e tij për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe jo të humbas kohë duke gjiruar video me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës.

 “E ftoj zotëri Kurtin që pozitën e tij si kryeministër ta përdorë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe jo të humbë kohë duke gjiruar video-spot me zotëri Vitinë. Kjo e bënë të qartë se Vitia në mungesë të projekteve konkrete për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Prishtinës po e përdorë qeverinë në përpjekjen e tij të marrë pushtet. Jam kurioz të shoh se a do të vijë Vitia vetëm në përballje për Prishtinën apo do t’i lejohet të marrë edhe kryeministrin me veti”, tha ai.

Lidhur me koalicionet e mundshëm për balotazhin e 14 nëntorit, Rama tha se koalicione formale me parti politike nuk do të ketë, por secili është i mirëseardhur të kontribuojë në programin e tyre.

 “Projekti ynë, programi ynë është Prishtina për të gjithë dhe ashtu e kemi bërë edhe fushatën. Është për çdo qytetarë të Prishtinës, duke marrë parasysh edhe partitë politike. Të gjithë ata janë qytetarë të Prishtinës dhe janë të mirëseardhur të kontribuojnë në programin tonë. Jemi të hapur të diskutojmë për programin tonë”, shtoi Rama.

Në konferencën e së premtes për medie, Rama shpalosi edhe planin e tij për lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.

 “Sot Kodrën e Trimave e shoh si portën e qytetit që do të përfaqësojë të arriturat më të mëdha të rigjenerimit të qytetit të Prishtinës. Ky rigjenerim i zonës do të fillojë me projektin e tulltores që do të shndërrohet në muze të artit modern. Në këtë pikë do të krijohet një parking nëntokësor me një platformë urbane që do të lidh Kodrën e Trimave me qendrën”, theksoi ai.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia ka marrë 42.3 përqind të votave, ndërsa Përparim Rama i LDK-së, 29.35 për qind

 

Shpërndaje në: