Peshkimi i votës

Peshkimi i votës

Partitë politike janë ato të cilat po orvaten pa ndalur këtyre ditëve që të marrin besimin e qytetarëve. Ato kanë krijuar listat e kandidatëve të tyre nëpërmjet të cilëve konsiderojnë se do të ‘peshkojnë’ votat maksimale kundrejt subjekteve të tjera politike. Pra, secili ekip proklamon se është më i fortë se sa ekipi rival apo më i fortë se sa ekipet tjera. Shumë kandidatë nëpër listat e subjekteve politike janë për herë të parë në ‘peshkim’ të votës, edhe pse strukturat partiake i kanë pranuar në gjirin e tyre, ato megjithatë mund të bëjnë ‘rezistencë’ ndaj tyre meqë janë të ‘panjohur’ për ta. Andaj, kandidatët pa përvojë në ‘peshkim’ të votës me doemos duhet të krijojnë ekipet e tyre në formë të shtabit. Sepse ekipa garuese në këto raste nuk ka detyrime që ta ndihmoj ndonjërin në peshkim të votës, për shkak se të gjithë janë në ‘luftë’ kundër secilit.

Ajo çka është shumë e rëndësishme në këtë garë për ekipet garuese është se ato duhet të krijojnë disponimin ‘ekipor’ që te anëtarët e ekipit të krijohet ndjenja e qëllimit të përbashkët dhe solidaritetit të ndërsjellë. Pasi që të krijohet ‘fryma ekipore’ anëtarët fillojnë të bëhen të vetëdijshëm se janë një ‘ekip’. Pra, në momentin që ata konsiderohen si ‘ekip’ nga ana e votuesve, atëherë votuesi e ka më të lehtë të përzgjedh se kujt duhet t’i epet besimi, ndërsa në anën tjetër ‘peshkuesit’ e votës nuk mund të kritikojnë apo të shantazhojnë ndonjërin nga anëtarët e ‘ekipës’ së tyre vetëm e vetëm që t’i ‘rruajnë’ votat që konsiderohen që janë të tjetrit.

Kjo do të thotë se ‘peshkuesit’ e votës brenda ekipës do të mbrojnë njëri tjetrin si në raport me liderin e ekipës po ashtu edhe në raport me subjektet e tjera politike. Kjo, do t’i pamundësonte subjekteve të tjera që të mos mund që t’i ndaj apo përçajë ata. Këtu ndarja apo përçarja e ekipës mund të vije në shprehje vetëm në rast se ndonjëri nga anëtarët e ekipës do të shfaqte mospajtime me qëllimin e subjektit të tij politik apo edhe me pikëpamjet e caktuara të cilat janë prezantuar në formë të premtimeve politike parazgjedhore.

Pra, subjektet politike duhet të jenë të vetëdijshme se kë dërgojnë në ‘ringun’ televiziv sepse aty mund të vihen në pah pakënaqësitë dhe mospajtimet eventuale të tij/saj me subjektin të cilin e përfaqëson. Nga ajo që kemi parë deri më tani në ‘ringun’ televiziv shpeshherë kemi hasur në situata kur X përfaqësuesi politik nuk ka mundur të prezantoj pikëpamjet e subjektit të tij politik, apo edhe raste kur ka mbrojtur qëllimet e ndonjë subjekti tjetër politik. Dallimet në mendime janë një bazë legjitime për oponentin politik që të debuton në taborin tjetër me anë të kritikës dhe kundër argumenteve të cilat mund ta përçajnë atë tabor politik. Kjo mund t’i krijojë epërsi në debat dhe gjithashtu, epërsi në vota oponentit politik. Andaj, shtabet zgjedhore, përveç punëve të tjera që kanë në këtë periudhë, ato duhet të identifikojnë ‘lojtarët’ më të mirë që kanë për debate televizive, sepse gara politike fitohet edhe në studio televizive, por tereni duhet ‘shkelur’ në kërkim të votës, sepse vetëm një kombinim i tillë mund të nxjerr një fitues stabil. Ndërsa ata kandidatë të cilët janë për herë të parë në garë, megjithatë duhet të jenë shumë aktiv në teren dhe në paraqitjet televizive dhe të mos i mbajnë shumë shpresat në strukturat e partisë, sepse ato tashmë janë rreshtuar prej kohësh për kandidatët të cilët duhet t’i nxjerrin fitues.

Shpërndaje në: