Peter Stano konfirmon ftesën e BE-së për takim në mes Kurtit dhe Vuçiqit

Peter Stano konfirmon ftesën e BE-së për takim në mes Kurtit dhe Vuçiqit

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se Bashkimi Evropian specifikisht Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të takohen në Bruksel për të diskutuar më tutje për dialogun Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këtë e ka konfirmuar për portali Dukagjini, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme(BE), Peter Stano.

Kurti dhe Vuçiq më një gusht kanë marrë ftesë nga BE për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

Zëdhënësi i BE-së, Stano ka thënë se pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Borrell-it dhe ShBA-së për të shtyrë masat e reciprocitet me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat në veri, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar për më tutje rreth integrimit evropian në BE.

Stano ka theksuar ndër të tjera se fokusi i dialogut duhet t’i kthehet normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian drejt BE-së.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 gusht për një medium serb ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukselit që më 18 gusht të mbahet rundi i ri i dialogut me Kosovën, por tha se ai nuk e di “se për çfarë tjetër mund të flasim”.

“Gjithçka është konsumuar dhe ju më nuk e dini se çfarë mund të bëni. Unë do të shkoj, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, ka thënë Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Por deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për pjesëmarrjen e tij në këtë takim të thirrur nga Borrell.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, më një gusht, në një konferencë për media ka thënë se nuk ka ftesë zyrtare për një takim në Bruksel.

Por ai kishte theksuar se Kosova është e gatshme për dialogun me Serbinë.

“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi në Bruksel më 19 korrik, mirëpo ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për në fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik”, ka thënë Kurti.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel. Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Në momentin që do ta kemi, sigurisht që do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë. Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke”, ka shtuar Kurti.

Ndryshe, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë.

Takimi i tyre i fundit është zhvilluar në korrik të vitit 2021.

 

Shpërndaje në: