Petkoviq: Kurti haptazi do luftë

Petkoviq: Kurti haptazi do luftë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me deklaratat e tij po do luftë e jo dialog.

“Nuk ka dyshim se Albin Kurti me deklaratën e tij të fundit tregon haptazi se do luftë, jo dialog dhe marrëveshje! Nëse Kurti konfirmon publikisht se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të formohet kurrë dhe se serbët duhet të pranojnë vendime të njëanshme dhe të dhunshme për targat dhe kartat e identitetit, është e qartë për të gjithë se Kurti po fton për konflikte në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Petkoviq në regimin për media më 8 gusht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për komunat me shumicë serbe, Kurti ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

Në këtë intervistë Kurti ka thënë se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.

Shpërndaje në: