Petkoviq: Kurti po iu bie borive të luftës

Periskopi.com Lajme

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë, Petar Petkoviq, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pasi në mbledhjen e sotme të qeverisë, ai tha se nga 1 shtatori do të vazhdojë zbatimi i vendimit për targat dhe letërnjoftimet serbe.

Petkoviq përmes një komunikate që ka lëshuar zyra e tij ka thënë se “Kurti di t’i bie vetë borive të luftës”.

E vetmja gjë që Aljbin Kurti di është se i bie borive të luftës dhe udhëheq politikë kërcënimesh dhe shantazhesh, siç dëshmohet nga deklaratat e tij të fundit, në të cilat ai edhe një herë konfirmoi se dëshiron konflikte dhe se i pëlqen të flasë për luftë çdo ditë”, ka thënë Petkoviq.

Kryenegociatori serb ka thënë se Beogradi është i gatshëm të negociojë zgjidhje që janë të pranueshme në terren, por nëse dikush i sulmon serbët dhe ua merr dokumentet ajo është absolutisht e papranueshme.

As targat e Serbisë nuk janë targa të Millosheviqit, siç thotë Kurti, as kartat e identitetit serb nuk janë të paligjshme, që Kurti t’i zëvendësojë me dokument për 90 ditë, sikur serbët janë të huaj në Kosovë. Serbët në Kosovë kanë dokumente të shtetit të Serbisë të cilat janë të vlefshme në përputhje me të gjitha ligjet e saj, rregulloret, Kushtetutën dhe ligjet dhe përveç kësaj, nuk janë në kundërshtim me asnjë marrëveshje të Brukselit”, tha Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës sot në mbledhjen e qeverisë ka thënë se më 1 shtator do të vazhdojë zbatimi i dy vendimeve të ekzekutivit kosovar për targat dhe letërnjoftimet.

Ky vendim u shtye për një muaj, pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy vendkalimet kufitare në veri të vendit.