Petkoviq: Prishtina pranoi ekzistencën e arkivave të UÇK-së

Petkoviq: Prishtina pranoi ekzistencën e arkivave të UÇK-së

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Kosova në bisedimet e fundit të mbajtura dje dhe pardje në Bruksel ka pranuar ekzistencën e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të enjten, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se në takimet e Brukselit për një moment ka pasur dakordim për hapjen e të gjitha arkivave në funksion të identifikimit të varrezave masive, por, sipas tij, pala serbe më pas është tërhequr.

“Serbia në vazhdimësi ka nxjerrë pretendime për arkivat e UÇK-së duke iu referuar një fusnote të librit të një veprimtari me emrin Nysret Pllana. Sipas tyre, ekziston një libër brenda të cilit në fusnotë thuhet se informata me të cilën masandej operohet në atë libër është nxjerrë nga arkivat e UÇK-së. Paraprakisht kam marrë konfirmimin se informata u referohet arkivave shtetërore për UÇK-në, jo arkivave të UÇK-së. Në qoftë se pala serbe e nxjerr një fusnotë si fakt, kjo nënkupton se ata në detaje kanë analizuar punimin e zotëri Nysret Pllanës dhe rrjedhimisht nuk e kontestojnë vërtetësinë e këtij libri për arsye se e nxjerrin si fakt qoftë edhe një fusnotë”, ka thënë Bislimi. “Do të thotë ata paraprakisht duhet të pranojnë si fakt krimet serbe në Kosovë dhe si fakt është një fusnotë që flet për ekzistimin e arkivit të UÇK-së. Mirëpo, për fat të mirë në faqen fillestare të librit thuhet se dokumentet janë të bazuara në informatat e nxjerra nga Arkivi Shtetëror i Kosovës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe ne kemi ofruar qasje të plotë në këto arkiva”.

Tani këtë deklaratë, Petkoviq po e sheh vetëm si “vazhdimësi të provokimeve nga Prishtina”.

“Ajo që është e rëndësishme, është progresi i bërë në çështjen e të zhdukurve dhe që Prishtina më në fund ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së dhe është pajtuar t’i hapë ato, andaj s’do të mbesin më të fshehura”, ka deklaruar Petkoviq në një komunikatë për media.

Për çështjen e hapjes së arkivave, Qeveria e Kosovës u kritikua edhe nga opozita, por edhe nga Organizatat e Veteranëve të Luftës. Ndërkaq, kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se hapja e arkivave është në favor të Kosovës.

Shpërndaje në: