Petkoviq: Të pavërteta fjalët e Kurtit që kinse rryma në veri s’paguhet për vite

Petkoviq: Të pavërteta fjalët e Kurtit që kinse rryma në veri s’paguhet për vite

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi që “të shtrojë një tezë të rrejshme se kinse rryma në veri të Kosovës s’paguhet për vite”.

“Absolutisht çdo kilovat rrymë e konsumuar gjatë gjithë këtyre viteve është paguar siç duhet, sepse Beogradi zyrtar dhe EPS-ja kanë paguar energjinë elektrike, që ka ardhur në katër komuna në veri të Kosovës, përmes sistemeve të transmetimit EMS deri në fillim të vitit 2021”, ka thënë ai, shkruan RTS.

“Pra, bëhet fjalë për energjinë elektrike të Republikës së Serbisë, përmes së cilës, Beogradi e furnizoi veriun e Kosovës, që nga momenti kur Prishtina, para një dekade, ia ndërpreu furnizimin me energji elektrike veriut, gjë që mund të çojë në një katastrofë humanitare”.

Petkoviq thotë se Kosova e ka përgjegjësinë për situatën e krijuar, meqë “refuzojnë vazhdimisht t’i lëshojnë licencën për furnizim me energji elektrike kompanisë Electrosever”.

Ai shtoi se Prishtina ka refuzuar ta diskutojë këtë çështje gjatë raundeve të fundit të dialogut në Bruksel.

Shpërndaje në: