Pica me kanabis, trendi më i ri i ushqimit në Tajlandë

Pica me kanabis, trendi më i ri i ushqimit në Tajlandë

Është kohë dreke në Bangkok dhe në këtë pikë të një zinxhiri restorantesh, specialiteti më i ri në meny po përgatitet.

Por ingredienti për këtë picë nuk janë domatet, djathi apo ullinjtë, por kanabisi. Ky lloj ushqimi i shpejtë është trendi i fundit në Bangkok.

Por të interesuarit duhet të dinë se pica nuk ka efekte intoksikuese.

“Natyrisht nuk ka efekte të larta. Është vetëm një fushatë marketingu dhe ju mund të ndjeni shijen e kanabisit. Dhe nëse hani shumë, mund të ndjeni gjumë”, u shpreh Panusak Suesatboon, menaxher i The Pizza Company.

Tajlanda ka lehtësuar së fundmi ligjet strikte për lëndët narkotike. Përdorimi i bimës në ushqim dhe pije është i lejueshëm, ndaj disa biznese po përpiqen të përfitojnë.

“Njerëzit entuziazmohen sepse është diçka e re. Ata nuk e kanë parë kurrë më parë këtë produkt. Mendoj se në vitet e ardhshme përdorimi i kanabisit do kthehet në trend, por nuk dihet sa do të zgjasë”, tha Wilert Puriwat, profesor te Shkolla e Biznesit.

Kanabisi ndodhet në koren e djathit, një gjethe përdoret në mbushje dhe kanabisi i copëtuar është gjithashtu në salcë. Në fund, pica zbukurohet me gjethen dalluese.

Për 499 baht, të barasvlershëm me 13 euro, ju mund të shijoni “Picën e Çmendur” në 400 pikat e zinxhirit “Pizza Company”.

Shpërndaje në: