Pika më e ulët e investimeve kapitale, ekonomistët e shohin mjerim e keqmenaxhim të Qeverisë

Pika më e ulët e investimeve kapitale, ekonomistët e shohin mjerim e keqmenaxhim të Qeverisë

Qeveria Kurti me më së paku investime kapitale në dekatën e fundit, për gjashtë muajt e parë të qeverisjes në vitin 2022. Me këto të dhëna doli  Instituti GAP.  Shqetësim, mjerim e paaftësi për vendin po e shohin ekonomistët e opozita. Safet Gërxhaliu, njohës i fushës, për Periskopin ka treguar disa arsye pse po ndodh kjo situatë, duke dhënë kritika për keqmenaxhim…

Kryeministri Albin Kurti, para se të vinte në pushtet e kishte gojën plot premtimet për investime kapitale në Kosovë. Duke e shpërfaqur  ngritjen e ekomonisë si prioritet të vetin, ishte zotuar për ndërtim të infrastrukturës, mijëra çerdheve për fëmijë, banesave sociale, për diçka të tilla as që ka në nisur në letër. Rezultati del të jetë shumë shumë pak investime.

Njohësi i fushës së Ekonomisë, Safet Gërxhaliu për Periskopin thotë se diçka të tillë kishte paralajmëruar qysh moti. Duke parë situatën me inflacionin e ngritjen e çmimeve, ai thotë se më së shumti ishin dashur tash investimet kapitale.

‘’Në një shtet që është në këtë krizë, ku eurozona ka inflacion 8.4 për qind kur çmimet e produkteve kanë ngritje të çmimit për 36 për qind dhe të ketë shfrytëzim  9-10 për qind të parave të qytetarëve, vërtetë është mjerimi më i madh. Në këtë drejtim,  është e kotë të kërkohet trusti e ndihmat nga jashtë në qoftë se ne nuk dijmë të menaxhojmë paratë e grumbulluara nga taksapaguesit tanë. Sot vërtetë në Kosovë ka nevojë për investime, shikoni infrastrukturën e përgjysmuar, shikoni projektet e papërfunduara. Ngulfatjen e sektorit privat në mungesë të këtyre projekteve dhe kjo është arsyeja më e madhe që nuk kemi arsye që të krenohemi qoftë për rritje ekonomike apo shtim të buxhetit kur dihet fare mirë që e tëra ky grumbullim i parave po devalvohet nga inflacioni dhe keqmenaxhimi’’, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar disa arsye pse ka mungesë të investimeve.

‘’Unë besoj që një ndër arsyet kryesore të kësaj situate ka qenë prokurimi publik, por edhe orientimi në kursime, që është dëmi më  i madh që i bëhet sektorit privat. Duhen njerëz të profesionit dhe jo gjithmonë determinues për punësim nga përkatësia politike dhe partiake.’, shtoi Gërxhaliu.

Kritika për këto rezultate dëshpëruese, sot dha edhe kryetari i LDK’së. Lumir Abdixhiku. Ai përmes një postimi në Facebook numëroi disa premtime të Kurtit, ndërkohë qeverisjen e tij e cilësoi me fukarallëk mendor.

“Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”, shkroi Abdixhiku.

E sa i përket rritjes ekonomike, në anën tjetër, kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi e kritikoi Qeverinë për paaftësi.

“Por përkundrazi ne kemi ose stagnim ose regres. Rritja ekonomike është shumë e vogël se inflacioni dhe pritjet për vitin 2022 janë që rritja mund të jetë 2.9%, por inflacioni do të vazhdojë të jetë në nivelin dy shifror. Krejt çka ka ndodhur është tendencë e populizmit siç ishte prezantimi me tog fjalshin një të punësuar në çdo familje pa dhënë dëshmi se sa familje nuk e kanë asnjë të punësuar dhe cila do të jetë kostoja dhe efekti. Janë komplet jo kompetent dhe poashtu jo koherent në ato që thonë”, tha Krasniqi.

Insitituti GAP dje doli me njoftimin se realizimi i investimeve kapitale si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal ndodhet në këtë pikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore si dhe politikave qeveritare. Investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal janë 19 për qind.

Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, për të cilën tha se nuk e ka trajtuar fare sfidën e rritjes së çmimeve në materialet ndërtimore.

Tutje, ai ka thënë se përveç se të fokusohet në skema sociale, është mirë që Qeveria t’i kushtojë rëndësi edhe projekteve kapitale, “ngase pa projekte kapitale nuk do ketë pastaj as çka me shpërnda në skema sociale”./Kaltërina Misini – PERISKOPI/

Shpërndaje në: