Pikëpyetje të mistershme: Diçka seriozisht nuk është në rregull me këngën e re të Dafina Zeqirit dhe Mc Kreshës

Pikëpyetje të mistershme: Diçka seriozisht nuk është në rregull me këngën e re të Dafina Zeqirit dhe Mc Kreshës

Duket sikur e kanë bërë me marrëveshje; ”f*ck sensit, t’ia futim kot dhe të shkruajmë çfarë do që na vjen në kokë për momentin dhe pastaj të themi se është mesazh për dhunën ndaj grave.

”S’ka rëndësi ndërlidhja, thjesht të shkruajmë si po ndihemi për momentin.”

Zonja e frustruar me sistemin dhe lidhjet toksike të grave, duke u munduar t’i jap zë një problemi shumë të rëndësishëm shoqëror, zotëriu në elementin e tij të rimave nga Sillvestre Stalloni, Rambo treshi e deri te llusteri i sallonit, shkruan Periskopi.

Sinqerisht, versi i Kreshës në këngën e re të Dafina Zeqirit, e cila është pjesë e albumit ‘Dafinë Moj’, është thjesht brilant, por gjithsesi mbetet nën hijën e ndërlidhjes së sensit me atë çka flitet paraprakisht në këngë, shkruan Periskopi.

Në fakt, kur e kishim dëgjuar fillimisht këngën si pjesë e albumit, i cili është thjesht fantastik meqë ra fjala – ende pa u publikuar klipi – nuk e kishim fare të qartë dhe nuk na dha aspak ndjesinë se ajo kishte mesazh luftimin e dhunës ndaj grave.

Po, është aq hutuese situata.

Pjesa e Zeqirit shumë lehtë mund të ‘keqkuptohet’ si një diss për dikë tjetër, apo mesazh për rivalet e saj në industri, pasi në asnjë moment nuk qartëson asgjë në tekstin e saj se në fakt kënga ka të bëjë me atë që paraqitet tash në klip.

Të njëjtin problem duket se e ka pasur edhe Mc Kresha. Nuk është se jemi shumë të familjarizuar me mënyrën si i krijojnë bashkëpunimet artistët tanë, por do të ishte logjike të mendojmë se ata -për shkak të angazhimeve të ngjeshura – i dërgojnë njëri-tjetrit demot dhe pastaj shtojnë pjesët e tyre nga një studio tjetër, varësisht nga ajo që dëgjojnë në atë demo.

Kresha qartazi e ka kuptuar njejtë siç e kemi kuptuar ne fillimisht këngën, përndryshe nuk mund ta shpjegojmë pse ai nuk ndërlidhi absolutisht asgjë në pjesën e tij me abuzimin ndaj grave. Mbetet gjithashtu mister si dyshja nuk komunikoi me njëri-tjetrin paraprakisht për ta sqaruar çështjen.

Konfuzitet dhe paqartësi në çdo aspekt.

Ekziston si mundësi reale që edhe vetë Zeqiri të ketë vendosur në momentet e fundit t’i japë një konotacion të tillë këngës, duke realizuar klipin në atë mënyrë. Edhe pse, në përshkrimin e këngës në YouTube jepen mesazhe të fuqishme ku paraqiten adresat për paraqitjen e dhunës, të cilave mund t’u drejtohen viktimat në rast nevoje.

‘Mos hezito, telefono, mos e duro dhunën,’ shkruhet në fund të klipit.

Ngritje kapelash për iniciativën, por e kemi të paqartë si mund ta luftohet dukuria e abuzimit ndaj grave me një këngë e cila, kur e dëgjon pa e shikuar klipin, e kupton për krejt diçka tjetër.

Në rregull, vargjet ”munësh ti mu me m’urrejtë po me dorë sun m’prekë. Për t’mirë tonën e kom t’lutna merre ma qetë,” mund të interpretohet si mesazh për burrat abuziv, por vetëm pasi ta shikoni klipin, ku paraqitet një demostratë e grave kundër disa meshkujve. As që e kishim menduar kështu kur e dëgjuam këngën pa klip.

Nuk do të futemi më thellë në pjesën e Kreshës, e cila absolutisht e krijon rrëmujën më të madhe dhe e distancon totalisht projektin nga mesazhi real që është munduar të përcillet.

Kënga – edhe pse ka vlera ridëgjimi dhe interpretohet tejet mirë – ka dështuar mjerisht të arrijë standardet e ‘Duro’ për mesazhin që përcillet./Periskopi.com/

Shpërndaje në: