Piktura 1 miliard euro e liderit të partisë së Fortë

Piktura 1 miliard euro e liderit të partisë së Fortë

Kushdo që dëshiron të blejë punimin e kryetarit të Partisë së Fortë në Kosovë, duhet të jetë miliarder. Visar Arifaj, këshilltar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, nuk hyn fare në pazar me ata që mund të shtyhen për uljen e çmimit.

“Nën një miliard euro nuk mund ta jap. Ky është pragu i pikturës”, thekson ai, shkruan sot “Koha Ditore”.

Punimin e vitit 1995 e ka deklaruar si pronën më të çmueshme edhe në formularin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ngulmon se askush nuk mund t’ia mbushë mendjen se çmimi i përcaktuar nuk përkon me vlerën artistike të saj.

“Kaq e kam vlerësuar, sepse mendoj se e ka këtë vlerë”, thotë Arifaj. “Nuk e kam nxjerrë  në ankand se njëherë nuk është në shitje. Ka vlerë shumë të madhe sentimentale, se nuk është se po më duhen ato një miliardë”.

Ishte nxënës i klasës së parë në shkollën e lagjes “Dardania” në kryeqytet, kur mësuesja Fllanza Berisha u kishte kërkuar njomëzakëve që të vizatonin për profesionet që u pëlqenin, kur Arifaj kishte rrokur menjëherë lapsin duke vizatuar një traktor në arë para një shtëpie. Në të nuk ka shofer. Por pranë timonit, ai e ëndërronte veten shofer të rritur.

Shpërndaje në: