Plan për vrasjen e tij dhe të Albin Kurtit: Xhavit Haliti flet për Periskopin

Plan për vrasjen e tij dhe të Albin Kurtit: Xhavit Haliti flet për Periskopin

Pas raportimit të A2 – mediumit të njohur nga Shqipëria, lidhur me një plan që ishte për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe Ismet Haxhës, deputeti i PDK-së është kontaktuar nga Periskopi dhe ai na tha shkurtmisht se ‘nuk ka informacione lidhur me këtë plan’.

Mirëpo zoti Haliti na tha edhe se ‘qe 30 vjet duan ta vrasin’.

“Ku di unë, s’kam kurrfarë informacione, unë kam informacione që 30 vjet që dojnë me më vra, s’po di për çka po folë”, na tha shkurt z.Haliti.

RAPORTI I A2: Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm.

Sqarim i Periskopit: Këto informacione janë nga mediat shqiptare të cilat shpjegojnë se nuk kanë arritur t’i verifikojnë në mënyrë të pavarur këto dokumente, të publikuara nga grupet e hakerave.

 

Shpërndaje në: