Podujevë, arrestohet edhe një i dyshuar për falsifikim të testeve COVID-19

Podujevë, arrestohet edhe një i dyshuar për falsifikim të testeve COVID-19

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, përkatësisht Sektori për Hetime Financiare sot përmes rrugëve operative ka pranuar një informacion se në Podujevë, në një lokal i cili shërben për tregti me pakicë dhe si fotokopje, dyshohej se janë duke lëshuar teste për COVID-19 të falsifikuara.

Policia përmes zyrtarëve relevantë ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për COVID-19, me logo të disa laboratorëve në Kosovë.

Gjithashtu si dëshmi janë sekuestruar edhe një shtëpizë kompjuteri dhe një telefon celular të cilët do të dërgohen në ekzaminim me qëllim të gjetjes së dëshmive shtesë lidhur me ketë rast.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar për grumbullimin e provave dhe dëshmive tjera shtesë, mbi dyshimet e përfshirjes së mundshme në këto aktivitete të kundërligjshme edhe të personave të tjerë, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: