Polemika në Kuvend për fillimin e vitit shkollor, opozita kritikon

Polemika në Kuvend për fillimin e vitit shkollor, opozita kritikon

Deputetët e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi dhe angazhim më të madh të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në përgatitjet për vijimin e mësimit në këtë vit shkollor, derisa kanë theksuar se në shumë shkolla matja e temperaturës së nxënësve po bëhet nga punëtorët teknik, kurse, ka raste ku dezinfektimi po bëhet vetëm ujë. Derisa, deputetët e pozitës po lavdërojnë punën e ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj në seancën ku është ftuar në interpelancë ministri i arsimit, në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se deri në 50 përqind e fëmijëve vitin e kaluar nuk kanë arritur të përcjellin mësimin, gjë që është brengosëse.

“Vizitat e mia në mënyrë statistikore kam nxjerr konkluzion që mbulueshmëria apo vijimi mësimor ka qenë përafërsisht 50 për qind deri në 60 për qind. Pra, është një situatë brengosëse e mbulueshmërisë në vitin e kaluar. Prandaj në këtë vit kërkojmë dhe insistojmë që mbulueshmëria apo organizimi qoftë në mënyrë elektronike, qoftë në mënyrë konvencionale të jetë në efikasitet më të madh. Dhe natyrisht ne kemi parë dhe MAShT ka planifikuar mundësi alternative, këto mundësi alternative më tepër e bëjnë komplekse situatën me shumë të panjohura”, tha ai.

E deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku ka thënë se mësimi në fillimin e vitit të ri akademik është duke vazhduar mirë në shumicën e komunave. Por ajo ka kërkuar një zgjidhje për komunën e Kamenicës, pasi është duke u bojkotuar mësimi.

Në seancën e sotme plenare, Bunjaku konsideroi se janë marrë masat e duhura për t’iu përshtatur edhe pandemisë Covid 19.

“Ky fillim vit në shumicën e komunave ka vazhduar mirë, përveç në komunën e Kamenicës ku e dina që aty janë problem të theksuara. Ne si komision do të mblidhemi do të marrë gjitha sugjerimet e anëtarëve të komisionit dhe do të mundohemi që Kamenicës t’i dalim në ndihmë sepse e dina që ata janë duke e bojkotuar mësimin”, tha ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha ka theksuar se në shumë shkolla matja e temperaturës së nxënësve po bëhet nga punëtorët teknik, e që një gjë e tillë nuk po ndodhë ndaj deputetëve para fillimit të seancave plenare. Sipas tij, dezinfektimi në shumë shkolla të Kosovës, po bëhet vetëm ujë.

Hoxha gjatë seancës plenare, ka ngritur këtë shqetësim duke theksuar se duhet të merret seriozisht jeta e nxënësve dhe mësimdhënësve, ashtu si e deputetëve të Kosovës, për çka tha se po bëhet diskriminim.

“Vendet e tjera për përkujdesin e shëndetit të nxënësve kanë angazhuar profesionistë shëndetësorë. Ata çdo ditë masin temperaturat e nxënësve si dhe shikojnë simptomat tjerat të cilat lidhen me virusin COVID-19. Shtrohet pyetja se kush po e bën këtë punë në Republikën e Kosovës? Ministër është mirë me na tregu kush po përkujdeset për kujdesin e nxënësve në Kosovë? Kush po e mat temperaturën e nxënësve në shkolla? Sigurisht që këtë po e bëjnë ose mësimdhënësit, ose punonjësit teknikë dhe administrativ. Ky veprim mund të rrezikojë edhe shëndetin e nxënësve por edhe shëndetin e mësimdhënësve dhe punonjësve të tjerë, sepse ata nuk janë profesionistë të fushës”, u shpreh ai.

Hoxha thotë se në disa shkolla ka informacione se dezinfektimi bëhet vetëm me ujë.

“Në të gjitha shkollat dezinfektimi pothuajse në të gjitha shkollat janë duke e bërë punonjësit teknikë. Madje kam informacione të sakta që në disa shkolla përdoret uji për dezinfektim. Nuk ka as materiale tjera dezinfektuese të cilat e luftojnë virusin COVID-19. Dhe sinqerisht kjo paraqet një shqetësim jashtëzakonisht të madh”, theksoi ai.

Ndër tjera, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha tha se numri i atyre që kanë mbetur pa u regjistruar në shkollat publike është jashtëzakonisht i madh. Për çka sipas tij, prindërit janë shumë të shqetësuar dhe ankohen që nuk kanë kushte t’i regjistrojnë në shkolla private.

Lëvizja Vetëvendosje e ka ftuar në interpelancë sot ministrin e Arsimit, Ramë Likaj për të dhënë sqarime për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kjo parti ka kërkuar nga Likaj të jep sqarime lidhur me planin për fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe kushtet të cilat janë krijuar për nxënësit.

Shpërndaje në: