Polici që doli nga arresti shtëpiak kapet me një qese marihuanë

Polici që doli nga arresti shtëpiak kapet me një qese marihuanë

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë bërë të ditur se e kanë arrestuar dje një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Informacionet e para hetuesit e IPK-së i kishin pranuar përmes rrugëve operative – hetimore ky zyrtar policor nuk ishte duke ju përmbajtur Aktvendimit të Gjykatës Themelore ne Prishtinë e cila kishte vendosur për të njëjtin masën e arrestit shtëpiak (lidhur me një rast ku zyrtari ishte i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare).

Bazuar në këtë informacion IPK kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të verifikonte se a është duke e zbatuar masën e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë, mirëpo zyrtarët policorë nuk kishin hasur në të dyshuarin e lartcekur në shtëpinë e tij e as në objektet përcjellëse.

Hetuesit e IPK-së më vonë janë njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe gjatë kontrollit i njëjti dyshohet se ka lëshuar në tokë një qese që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë.

“Pas këtyre veprimeve, zyrtari policor është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Shpërndaje në: