Policia: 2 policë të lënduar rëndë – protestuesit u lënduan nga vet protestuesit
Gjatë protestës së sotme të mbajtur në fshatin Mushtisht të komunës së Suharekës, janë arrestuar 24 protestues, ndërsa të lënduar përveç protestuesve, të cilët policia konstaton se janë lënduar nga vet gjuajtjet e tyre, janë edhe katër policë.
Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, kurse dy të tjerë kanë marr vetëm disa lëndime të lehta trupore.
Komandanti i Policisë rajonale në Prizren, Nexhmedin Krasniqi, në një deklarim për media pas ngjarjeve të sotme, konstatoi se protesta ka qenë e dhunshme. Krasniqi tha se megjithatë Policia ka mbajtur çdo gjë në kontroll, duke iu ofruar serbëve rrugë të lira, por të cilat ata nuk deshën më pas t’i kalonin për arsye të tyre.
“Në Mushtisht sot ka qenë e paraparë të mbahet një vizitë e disa serbëve që vinin nga Serbia, për shkak të një feste që e kanë pasur. Këtu ka pasur një numër bukur të madh të qytetarëve edhe të rrethinës së Mushtishtit, por ka pasur edhe njerëz të tjerë jashtë fshatit Mushtisht. I kanë shprehur pakënaqësitë e veta, ka qenë një protestë jo paqësore, ka qenë bukur e dhunshme. Policia sipas parimeve të procedurave ka kryer punën e vetë profesionale dhe është munduar që të siguroj lëvizje të lirë për pelegrinët serbë. Ka arritur të realizoj qëllimin dhe rruga ka qenë e lirë për ta. Mirëpo për shkak të kohës, ata janë kthyer vullnetarisht, edhe pse iu ka komunikuar edhe eprori i Policisë që e kanë të lirë rrugën edhe të vijnë në festën e tyre që të realizojnë qëllimet e veta, mirëpo prapë ata janë kthyer”, tha Krasniqi, raporton KP.
Ai mes të tjerash tha se kemi 24 persona të arrestuar ndërsa katër policë të lënduar, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerë kanë marr lëndime të lehta trupore. Ndërsa sa i përket protestuesve, Krasniqi tha se protestuesit kanë marr lëndime, mirëpo jo nga Policia, por nga vetë protestuesit.
“Deri më tani mund të konfirmojmë se janë 24 persona të shoqëruar në Polici nga ana e protestuesve dhe i kemi katër policë të lënduar, ku dy prej tyre janë bukur rëndë të lënduar, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Nga qytetarët, ka të lënduar por nga ana e vet protestuesve, e jo e Policisë, sepse ne vet ishim në vend të ngjarjes dhe pamë një guri që erdhi nga protestuesit dhe e goditi qytetarin i cili ka qenë edhe ai protestues dhe i ka shkaktuar gjakderdhje në kokë”, tha Krasniqi.
Pas marrjes së informatave që autobusët e serbeve janë kthyer mbrapsht, protestuesit u shpërndanë të qetë, me çka edhe u përmbyll protesta pas mbi gjashtë orësh.



