Policia e Hong Kongut rrethon universitetin, bllokon 800 persona

Policia e Hong Kongut rrethon universitetin, bllokon 800 persona

Policia e Hong Kongut e ka rrethuar një kampus universitar të këtij qyteti, duke i bllokuar rreth 800 njerëz. Forcat e sigurisë e sulmonin me gaz lotsjellës secilin student që përpiqej të ikte nga kampusi.

Universiteti Politektik, i cili është pushtuar nga protestuesit që nga java e kaluar, është bërë arenë e përleshjes më të gjatë dhe më të tensionuar mes policisë dhe protestuesve në më shumë se pesë muaj të kryengritjes.

Qindra persona mbetën të rrethuar nga policia edhe të hënën në mëngjes, pas përleshjeve të natës së kaluar, gjatë së cilës protestuesit përdorën shtiza dhe bomba me benzinë, ndërsa policia kërcënoi se do të përdor armatim të vërtetë.

Kur një grup i protestuesve u përpoq të ikte nga kampusi të hënën, policia hodhi gaz lotsjellës në disa dalje, duke ua pamundësuar largimin atyre. Kur një grup tjetër u mundua të largohej më vonë, policia hodhi edhe më shumë gaz lotsjellës dhe e përdori një kamion me ujë. Disa protestues u arrestuan në këtë rast.

Policia më parë e kishte lëshuar një deklaratë me të cilën kërkonte nga protestuesit që të lëshojnë armët e tyre, t’i largojnë maskat dhe të largohen nga kampusi, por si duket ata nuk pranuan t’i binden kësaj kërkese, shkruan “The Guardian”.

Shpërndaje në: