Policia e Kosovës e obsesionuar në kapjen e virusit nëpër vetura: Rrëfimet e trishta të qytetarëve të dënuar

Policia e Kosovës e obsesionuar në kapjen e virusit nëpër vetura: Rrëfimet e trishta të qytetarëve të dënuar

Tashmë ligji për Pandemi ka hyrë në fuqi, dhe në këtë ligj janë të saktësuara edhe gjobat me të cilat do të dënohen qytetarët në rast se veprojnë kundër tij. Në rendin e dënimeve është edhe ajo me nga 35 euro gjobë për ata persona që nuk mbajnë maska, apo nuk respektojnë distancën fizike.

Por në një sqarim të fundit nga Ministria e Shendetesisë është bërë e ditur se mos-vënia e maskës në veturë nëse në të njëjtën ndodhen persona të së njëjtës familje, nuk përben shkelje të ligjit për pandeminë.

Pavarësisht kësaj, disa qytetarëve u janë shqiptuar gjoba nga Policia e Kosovës për mos-vënie të maskës në veturë, shkruan Periskopi

Qytetari me inicialet A.R rrëfen për Periskopin se si ditën e djeshme ishte ndaluar nga Policia e Kosovës me arsyetimin për mos mbajtjen e maskës teksa ishte duke qarkulluar me veturë. Ai ka treguar se në veturë ishte i vetëm.

“Dje isha duke kaluar tek rruga qe njihet si ‘Tre Sheshirat’. Aty më ndali një polic; e kërkova arsyen e ndaljes dhe më tha të ndala për shkak se nuk e ke vendos maskën. Unë isha vetëm në makinë dhe duke u bazu në një foto qe e ka publiku MSh (Ministria e Shëndetësisë) kur je vetëm ne makinë nuk ke nevojë me mbajtë maskën. Polici më tha duhet me të dënu për këtë veprim… pas një diskutimi me të, ia tregova edhe fotografinë e MSh-së. Polici shkoi në veturë, qëndroi për disa minuta dhe pastaj erdhi e më tha vendose maskën edhe vazhdo. Një ndalesë e tillë është e pakuptimtë për mua meqenëse nuk kisha thyer asnjë rregull të komunikacionit… mua veç sa më harxhoi kohë dhe u vonova në takimin që e kisha me klientin tim”, tha qytetari për Periskopin.

Me 35 euro gjobë më 30 gusht u dënua edhe infermieri i Klinikës së Gjinekologjisë, Liburn Dema, për arsye se nuk e kishte vendosur maskën brenda veturës.

“Jam dënuar me datën (30 gusht) në mbrëmje sa kam qenë duke vozitur. Kam qenë me gruan dhe fëmijët, jam ndalur në hyrje të fshatit nga një polic të cilin e pyeta për arsyen e ndaljes ndërsa ai tha “që nuk kam maskë”. I tregova që jam punëtor shëndetësor dhe që i di rregullat,  që maska nuk është obligative në veturë dhe nuk është legjitime”, theksoi ai. Derisa e konsideron këtë vendim të padrejtë, Dema ka shtuar se nuk do ta paguajë gjobën e shqiptuar.

Gjobë për mos mbajtjen e maskës në veturë, mori edhe qytetari Enis Veliu, i cili përmes një statusi në Facebook, bëri të ditur se policia i kishte shënuar gjobë për mosmbajtje të maskës në veturë, ndonëse ky i fundit ishte me bashkëshorten dhe fëmijët e tij në automjet.

“Dy policë, njeri spektator pa folur asnje fjale të vetme, e tjetri ne rolin e banditit me shqiptuan një tikete kundërvajtje, pse unë ne makine se bashku me gruan dhe fëmijët nuk kam te vendosur maskë. Tentimet e mija mi shpjegu atij se ne baze te manualit te Ministrisë se Shëndetësisë, nuk duhet vendosur maska ne veture kur je me familjare, pasuan me kercenime per arrestim. Police si ky qe nuk njohin ligje, rregulla, e qe arroganca është mjeti i tyre i vetëm, është me shume se krim mi nxjerr ne rruge me zbatu ligje”, ka shkruar Veliu.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se këso lloj dënimesh nuk shqiptohen në asnjë vend të botës. Kryetari i KMDLNJ-së Behgjet Shala i tha Periskopit se dënimet për mosvënien e maskës në veturë, kur personi është i vetëm, apo me familjarë duhet të anulohen.

“Tash është krijuar një bazë ligjore ku sanksionohet mosbartja e maskave mbrojtëse prandaj Policia e Kosovës bashkë me Inspektoratin Shëndetësor ua shqiptojnë dënimet të gjithë atyre që nuk respektojnë masat mbrojtëse përkatësisht vendosjen e maskave. Është bërë një gabim që nuk është saktësuar se në cila rrethana apo raste duhet të vendoset maska”, ka thënë Shala.

“Nuk ka asnjë kuptim që personi i vetëm në veturë të vendos maskën e as i shoqëruar me familjarë. Prandaj dënimet e shqiptuara për këtë arsye nuk kanë asnjë kuptim dhe nuk shqiptohen në asnjë vend të botës . Këto dënime duhet të anulohen dhe në asnjë mënyrë nuk duhet dhe nuk mund të ekzekutohen”, theksoi tutje Shala.

Se bartja e maskës në veturë nuk është e obliguar, ditë më parë ka njoftuar edhe zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti. Ai ka publikuar një grafikë ku tregon se gjatë vozitjes së automjetit personal me njerëz që jetojnë në një familje, nuk duhet të bartet maska. Ashtu sikurse maska nuk bartet as në shtëpi me njerëz që jetojnë në familjen tuaj./Periskopi/Besarta Hoti

Shpërndaje në: