Policia: Gabuam me Boiken Abazin, nuk ka kryer asnjë vepër penale

Në urdhrin për largim me forcë, Abazi pos që ngarkohet me përgjegjësi penale, ngarkohet edhe me përgjegjësi të “kërcënimit të rendit dhe sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës”. Megjithatë, me asnjë fjali nuk arsyetohet se si e shkakton këtë rrezik.
Policia e Kosovës e ka ngarkuar me pesë vepra penale, Boiken Abazit si arsyetim për ta dëbuar nga Kosova.
Por, Abazi, nuk ka kryer asnjë vepër penale në Kosovë dhe nuk është fare nën hetime. Këtë fakt e ka pranuar vetë Policia e Kosovës, derisa është arsyetuar se në Urdhrin për largim me forcë është përvjedhur një gabim teknik kur ka shkruar se Abazi ka kryer pesë vepra penale.
“I njëjti (Boiken Abazi v.j.) është larguar se ka kundërvajtje, e jo vepër penale. Aty në njëfarë mënyrë është një gabim teknik i përvjedhur. Ndryshe, ai nuk ka vepër penale por vetëm kundërvajtje”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Këtë përgjigje Kelani e ka dhënë kur është pyetur nga Insajderi se si mund të dëbohet dikush derisa është nën hetime apo i akuzuar për pesë vepra penale dhe si mund të sigurohet prania e tij në procedurë, derisa i ndalohet hyrja në Kosovë për dy vjet.
Në urdhrin për largim me forcë, Abazi pos që ngarkohet me përgjegjësi penale, ngarkohet edhe me përgjegjësi të “kërcënimit të rendit dhe sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës”.
Megjithatë, me asnjë fjali nuk arsyetohet se si e shkakton këtë rrezik.