Policia iu shkon në shtëpi ferizajasve të infektuar me COVID-19

Periskopi.com Lajme

Policia e Ferizajt po iu shkon në shtëpi personave të infektuar me COVID-19, për të kontrolluar nëse po e respektojnë masën e izolimit.

Në njoftimin e policisë, është bërë e ditur se janë kontrolluar dhjetëra lokale, nga të cilat janë mbyllur gjashtë.

“Në kuadër të këtyre aktiviteteve, nga data 30.08-05.09.2021, përveç 262 vërejtjeve policore, policia ka shqiptuar 1522 gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk i kanë respektuar masat si në vendim, ka kontrolluar dhjetëra lokale të ndryshme dhe ka mbyllur 6 prej tyre dhe u ka shqiptuar edhe gjoba kundërvajtëse”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, policia po shkon nëpër shtëpitë e të infektuarve me COVID-19, për të kontrolluar nëse ata po qëndrojnë të izoluar, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Përveç kësaj , policia po bënë edhe verifikimin nga afër të personave që janë në vetizolim me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës , për shkak të infektimit me virusin Covid-19”, ka bërë të ditur policia.

Policia në Ferizaj ka kërkuar nga qytetarët të bashkëpunojnë në rastet kur kanë informata se dikush nuk po i respekton masat e Qeverisë.

“Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, fton qyetetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe nëse kanë informacione se persona, apo vende të caktuara nuk respektoojnë masat Anti-Covid-19, të lajmërojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdetarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406, dhe policia do të marrë të gjitha masat e nevojshme , sipas ligjit antiCovid-19. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në apelin e policisë.