Policia po heton disa zyrtarë të “Pastrimit” nën dyshimin se morën ryshfet kur punësuan rreth 20 punëtorë

Policia po heton disa zyrtarë të “Pastrimit” nën dyshimin se morën ryshfet kur punësuan rreth 20 punëtorë

Ditëve të fundit, Policia e Krimeve Ekonomike të Kosovës po e vizion shpesh Kompaninë Rajonale të Menaxhimit të Mbeturinave “Pastrimi”. Hetuesia po trajton edhe disa pretendime për një konkurs të dyshimtë në këtë ndërmarrje, i cili u anulua para pak ditëve nga menaxhmenti i ri i kompanisë, shkruan Periskopi.

Policia ka pranua emalin nga disa asamblistë të Komunës së Prishtinës, të cilët janë Aksionarë në këtë Ndërmarrje. Siç ka mësuar Periskopi, e-mali i dërguar në adresë të policisë ka të bëjë më një varg dyshimesh të ngritura nga persona brenda kompanisë, që i janë dërguar aksionarëve,  si pretendime për manipulime me tender, marrje e ryshfetit për punësime, marrje e pagave të paligjshme brenda ndërmarrjes, etj.

Periskopi ka siguruar letrën me emrat e të punësuarve në ndërmarrje, e që në të figurojnë edhe emrat e zyrtarëve të ndërmarrjes, për të cilët pretendohet se morën ryshfet për punësimin e tyre. Aty është shënuar edhe shuma e pretenduar e marrë për secilin të punësuar.

Për shkak se është vetëm një pretendim për marrje ryshfeti që po trajtohet nga hetuesit, Periskopi i ka fshirë emrat e personave në listë.

Në konkursin e datës 17.03.2022 janë punësuar 31 persona, ndërsa pretendimet për marrje të ryshfetit janë vetëm për 21 persona.

Menaxhmenti i ri i KRM “Pastrimi” SH.A. ka marrë së fundmi një numër të veprimeve, për të anuluar disa vendime të cilat, siç kanë thënë, kanë cenuar funksionimin e mirë të kompanisë.

“1. Anulimin e  Konkursit Publik me Nr. 2180,  i datës 13.6.2022, i publikuar në gazetën “Bota Sot” nga KRM “Pastrimi” SH.A, sepse i njëjti është shpallur në kundërshtim me dispozitat ligiore në fuqi”, ka qenë njëri prej vendimeve.

Periskopi ka raportuar dje, se në ditën e shfuqizimit të  këtij vendimi është sulmuar fizikisht, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Ndërmarrjes, Muhamet Veliu. Siç ka mësuar Periskopi, rasti është duke u trajtuar nga policia e Kosovës, dhe pista e parë e hetimeve ka të bëjë me konkursin e anuluar.

I kontaktuar nga Periskopi, Veliu nuk ka mundur ta drejtojë gishtin konkretisht nga asnjë person.

“E vërteta është se kam pasë një problem gjatë kthimit prej punë në shtëpi, por motivet akoma nuk po i dijë. Kemi pasë disa ndryshime në vendin e  punës, rastin po e trajton policia kështu që unë ja kam lënë policisë që ata me kry punën e vet. Jo nuk dyshoj në askënd se nuk kam kry asnjë veprim kundër askujt për me mujt me dyshu, por ja kam lënë policisë që ata me kry këtë punë”, ka thënë shkurt Veliu për Periskopin.

Para pak javësh, Bordi i Drejtorë të KRM “Pastrimi” ka shkarkuar organet udhëheqëse të ndërmarrjes, duke përshirë edhe Kryshefin Ekzekutiv më arsyetimin se kompania nuk ka pasur përformancë të mirë. /Periskopi/

Rrahët Sekretari i Ndërmarrjes “Pastrimi”, dyshohet se u sulmua pas anulimit të një konkursi

Shpërndaje në: