Polonia në ethe: Populisti Duda i fiton zgjedhjet presidenciale

Polonia në ethe: Populisti Duda i fiton zgjedhjet presidenciale

Andrzej Duda ka fituar zgjedhjet presidenciale në Poloni, pasi rezultatet preliminare të mëngjesit të sotëm, i japin presidentit aktual 51,2 për qind të votave në thuajse të gjitha vendvotimet e numëruara, ka bërë të ditur komisioni kombëtar elektoral i këtij vendi.

Kundërkandidati i tij liberal, Rafal Trzaskowski, kryetari i Varshavës, i mori 48,8 për qind, shkruan The Guardian, përcjell Periskopi.

Kreu i komisionit kombëtar zgjedhor tha se rezultatet përfundimtare do të bëheshin të ditura më vonë, por shtoi se Duda tashmë po udhëhiqte me gjysmë milioni vota epërsi.

Balotazhi ishte tepër i ashpër nga të dyja palët, me Dudën që premtonte një tjetër mandat duke mbështetur agjendën legjislative të partisë populiste në pushtet të Polonisë dhe me Trzaskowskin që premtonte të bëhej fytyra e një Polonie ndryshe.

Duda kishte bërë një fushatë mjaft përçarëse në të cilën premtoi t’i mbështeste “vlerat e familjes” kundër të drejtave të komunitetit LGBT dhe shpesh përdori retorikë homofobe.

Fitorja e tij do t’i japë partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi, kontrollin e levave më të rëndësishëm të pushtetit për vite me radhë. /Periskopi

Shpërndaje në: