Portret i Marilyn Monroe, biondja që dinte shumë!

Portret i Marilyn Monroe, biondja që dinte shumë!

Në botën në të cilën ajo jetoi, asnjë njeri me rëndësi nuk përdori emrat e vërtetë. Emrat që ata përdorën u sajuan për ta si veshje magjike. Por, ajo nuk ishte kurrë e sigurt për emrin e saj

Aktorja që bota e njeh si Marilyn Monroe çdo ditë krijonte një qenie të re.

Ajo çka krijonte ishte një mit, një ëndërr, gjëja më e afërt që bota jonë ka krijuar. Vdekja e saj pati të gjithë hapësirën emocionale që ajo kishte sjellë në jetë përditë.

Nga një pikëpamje kjo ishte shkujdesje, mungesë qëllime dhe keqardhje. Nga pikëpamja tjetër, kjo ishte një mit, një rol epik në një dramë ku përfshiheshin emrat më të fuqishëm dhe lojtarët më të fuqishëm të epokës së saj.

Diku në natën e 4 gushtit 1962, Marilyn Monroe rrëshqiti në botën e fundit, ireale duke marrë një dozë të madhe Nembutali dhe Kloral hidrati.

Ekzaminuesi mjekësor i distriktit të Los Angelesit i dha një përcaktim të dyshimtë shkakut të vdekjes, duke e quajtur “vetëvrasje të mundshme”. Hetues të tjerë me dëshmi të konsiderueshme, por përsëri jo fakte kokëforta, vazhdojnë ta quajnë atë vrasje.

Vrasje, aksident apo vetëvrasje, vdekja e Marilynit është sot një mister, jo për shkak të interpretimeve të ndryshme të fakteve, por sepse kjo zonjë që kishte parimin “të bëjmë sikur besojmë” kishte luajtur në një botë të vërtetë dhe të rrezikshme dhe monarkët e asaj bote ishin aq të fuqishëm sa të rishkruanin historinë e saj në orët e fundit të jetës së saj.

Në jetë dhe në vdekje, Marilyn mishëroi versionin tepër surreal dhe të mistershëm të historisë së suksesit amerikan. E rritur në shtëpinë e fëmijëve, ajo u bë Mbretëreshë e Hollywoodit, duke përdorur talentin dhe trupin e saj në masë të njëjtë, për të kaluar nga një shkallë e imagjinuar në tjetrën.

Nga fundi i jetës së saj ajo kishte arritur gjithçka që një yll mund të kishte ëndërruar dhe gjatë kësaj rruge, ajo kishte fjetur me një president, ishte martuar me një legjendë të sportit dhe një gjigant të letërsisë, kishte fituar adhurimin e botës më shumë se çdo aktore tjetër në çdo kohë.

Ajo mund të kthehej nga një shtrigë në foshnjë, nga cinike në një njeri të pashpresë, nga perëndeshë e premtimit seksual në fantazmë të harresës. Ajo ishte një grua e cila brenda një mbasditeje mund të kalonte nga gjendja e pasigurisë rrëqethëse e dyshimeve, në një zot absolut të artit të saj. Askush përpara saj, qysh atëherë nuk ka hedhur më shumë energji brenda një filmi.

Marilyn lindi në Spitalin e Përgjithshëm të Los Angelesit më 1 qershor 1926. Ajo u quajt Norma Jean Baker. Emri i parë ishte inspiruar nga aktorja Norma Talmadge. Pjesa e fundit e emrit ishte marrë nga burri i dytë i ndarë i të ëmës. Megjithëse janë bërë përpjekje të pafundme, identiteti i të atit të vërtetë të saj nuk është përcaktuar asnjëherë me siguri.

Fëmija i quajtur Marilyn nuk kishte as nënë të zakonshme. Në kohën e lindjes së vajzës Gledis Perl Beiker Mortenson ishte një grua e bukur dhe delikate në mes të 20-tave dhe punonte si prerëse e filmave në markatën e filmit. Ajo kishte dhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë që jetonin me burrin e saj të parë.

Marilyn kaloi tetë vitet e para në familje të tjera ku e linte e ëma gjatë kohës që ajo punonte dhe nëna e vizitonte atë vetëm në fundjavë. Më 1934 nëna dhe vajza jetuan në të njëjtën shtëpi për disa muaj, periudha më e gjatë që ato do të kalonin bashkë gjatë fëmijërisë së saj, deri sa Gledis u sëmur sërish nga neuroza dhe përfundoi në spital.

9 vjeç Marilyn hyri në një shtëpi fëmijësh. Nga mosha 12 vjeç ajo lëvizi në vende të ndryshme ku jetoi në shtëpi fëmijësh. Mbas kthimit në një yll kinematografie, Marilyn do të tregonte shpesh historinë e fëmijës së varfër të rritur në shtëpi fëmijësh.

Kujtimet e saj përfshijnë dhe përpjekjet e së ëmës për ta mbytur apo episode përdhunimesh ose ngacmimesh duke filluar nga mosha 6 vjeçe. /Telegrafi/

Shpërndaje në: