Poshtëruese: VV rrit përpjekjet për ta bindur Serbinë që të ulet për negociata

Poshtëruese: VV rrit përpjekjet për ta bindur Serbinë që të ulet për negociata

Ditët e fundit ishin tmerrësisht poshtëruese për Republikën e Kosovës. Mos-njohja nga Xhamajka dhe turri për luftë meritash pasoi një ndodhi edhe më të tmerrshme, e që ishte Samiti i Londrës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Emri i këtij samiti mund të jetë paksa i mërzitshëm për t’u kapur, por rëndësia e tij është shumë e madhe.

Dhe, ajo çka ndodhi në Londër nuk ishte në të përkundërt të këngëve folklorike për Isë Boletinin që ishte takuar me një ministër duke e ruajtur në brez një allti.

Kurti u duk krejtësisht i zhveshur nga qëndrimet e tij të dikurshme politike, e madje në një moment u kap nga mediat serbe derisa zgërdhihej bashkë me kryeministren Ana Bërnabiq.

Çka u kuptua nga rasti në fjalë?

Ajo që edhe dihej, veçse pak më qartë e pak më troç. Kosova dikur e kishte një parti politike që respektonte dhimbjen e viktimave të luftës dhe thoshte se nuk do të ulej në negociata me Serbinë në asnjë formë, shkruan Periskopi.

Më pas, ky qëndrim evoluoi dhe Kurti deklaroi se do të ulej nëse Serbia plotësonte një listë të gjatë kërkesash, në krye të të cilave ishte kërkim-falja për krimet e luftës të bëra më 1998 dhe 1999 dhe reparacionet, ose dëmshpërblimet e luftës.

Por, Kurti ishte cullak në Londër në një moment të turpshëm. Është Serbia ajo që nuk po pranon të ulet në negociata me Kosovën, dhe jo Lëvizja Vetëvendosje përkundër të gjitha dëmeve të shkaktuara madje edhe vitet e fundit.

Çnjohjet, Gjykata Speciale, fushata agresive kundër pranimit tonë në Unesco, fushata agresive kundër pranimit tonë në Interpol, fushata agresive kundër çdo anëtarësimi tjetër në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përshëndetja e të bëmave të Millosheviqit vitin e kaluar nga Aleksandër Vuçiq.

Asnjë nga këto nuk mjaftoi që Kurti të zmbrapsej. E kundërta, ishte Serbia ajo që nuk u zmbraps ndaj Kosovës. Për çka? Për 2.5 për qind të eksporteve të saj. Për shkak të tarifës që e kishte vendosur kryeministri Haradinaj.

Kurti ka thënë vetë se do ta heq taksën, për tepër, përpjekja e tij për ta bindur Serbinë që të ulet në tavolinë negociatash vazhdon edhe me zbutjen e masës së reciprocitetit. Rexhep Selimi, shef i grupit të tij parlamentar, zbuloi sot që Vetëvendosje do të koordinohej plotësisht me ShBA-të për reciprocitetin. Pra, Reciprocitetin e Plotë mund ta shohim vetëm në ëndërr.

Si të mos mjaftonte kjo, kryeministrja serbe tregoi se si vendi i saj ishte bërë dy herë kampion në tri vitet e fundit, dhe atë kampion bote, për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Kampion në çka tha Kurti se ishte Kosova? Kampion në pallavra nacionaliste. Në llafe kafenesh që s’ndalen asnjëherë. /Periskopi

Shpërndaje në: