Posti i ministrit të Shëndetësisë: Përgjigjja e Pecit ngjall dyshime se Kurti e shpërfilli Listën Guxo

Posti i ministrit të Shëndetësisë: Përgjigjja e Pecit ngjall dyshime se Kurti e shpërfilli Listën Guxo

Para më shumë se 10 ditësh, ministri i Bujqësisë Faton Peci (Lista Guxo), deklaroi se emri i ministrit të ri të Shëndetësisë, do të bëhej i ditur pas konsultave që kryeministri Kurti do të kishte me Listën Guxo (partner koalicioni). Mirëpo, në një përgjigje të dhënë sot para gazetarëve lidhur me këtë çështje, z.Peci tha se ‘konsultimet nuk nënkuptojnë vetëm me partnerët tjerë…” duke shtuar se ‘kryeministri i ka ezauruar konsultimet brenda VV-së”.

Emri i deputetit të Listës Guxo, z.Haxhi Avdyli, ishte përfolur për një kohë të gjatë si zëvendësimi i mundshëm i Arben Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një konferencë të para afro 10 ditësh, Faton Peci i Listës Guxo, kishte deklaruar se kryeministri Kurti do të vendoste për emrin e ri të ministrit të Shëndetësisë – por që kjo do të bëhej pas konsultave edhe me Listën Guxo.

“Se cili do të jetë emri i ri i ministrit të Shëndetësisë do të vendosë kryemininstri, pashmangshëm ne si partner i Qeverisë, normal që do të kemi pjesë e konsultave por nuk mund të flas se cili do të jetë ministër i Shëndetësisë. Mendoj se kryeministri do t’i bëj të gjitha konsultat paraprake edhe me të gjithë akterët relevantë në VV, në Listën Guxo dhe partnerët e koalicionit”, deklaroi ministri Peci më 10 nëntor 2021.

Mirëpo sot, i pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje, Peci la të kuptohet se Kurti nuk ka pasur konsulta me Listën Guxo për emrin e ri të ministrit të Shëndetësisë.

“Unë kam deklaru që i takon kryeministrit pas konsultimeve që të caktojë se cili është emri për ministrin e shëndetësisë. Kam thënë i takon kryeministrit të vendosë emrin e ministrit. Me siguri që pas konsultimeve, nuk nënkupton vetëm partner të tjerë por me siguri ka ezauru edhe konsultimet edhe brenda përbrenda partisë që drejton”, ka thënë Peci sot në një konferencë, përcjell Periskopi.

 

Shpërndaje në: