Potera për Periskopin: VV të distancohet nga veprimet e pamatura dhe të qëllimshme të Shpejtim Bulliqit

Potera për Periskopin: VV të distancohet nga veprimet e pamatura dhe të qëllimshme të Shpejtim Bulliqit

Komuna e Podujevës nuk po bëhet dot rehat me drejtorë. Pasi kryetari Shpejtim Bulliqi shkarkoi drejtorin  e Inspektoratit, Besnik Mulliqin, sot postin ia la në anën tjetër  drejtori për Shëndetësi, Driton Veliu. Ky i fundit thotë se e bëri për shkak të çështjeve personale dhe zhvillimeve politike atje.  Nga veprimet e pamatura dhe të qëllimta të Bulliqit, duhet të distancohet Vetëvendosje në Podujevë, thotë për Periskopin anëtari i kësaj partie, Ajet Potera.

Potera, që dikur ishte kandidat i VV’së për kryetar të Podujevës ka deklaruar se e mbështetë ish drejtorin Besnik Mulliqi, pasi sipas tij, është kryetar Shpejtim Bulliqi që e ka penguar atë të kryejë punën sipas Ligjit.

‘’E di që Kryetari e ka penguar të kryej punën sipas ligjit. Në atë Komunë qytetarët kanë pritur ndryshime të cilat nuk po ndodhin. Ajo Komunë veç është duke u katandisur më keq se ka qenë në qeverisjen e më hershme. Është duke e vazhduar e të njëjtën logjikë të qeverisjes.’’, ka thënë Ajet Potera për Periskopin.

Ai mendon se duhet bërë auditim e hetim i prokurorisë brenda asaj komune.

‘’Drejtoria e Inspeksionit është drejtoria që i sheh më së mirë vendimmarrjen në nivelin Komunal. Ajo e has në terren çdo vendim me shkrim apo pa të drejtorive dhe Kryetarit. Unë pres distancim të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Nga veprimet e pamatura politikisht por të qëllimta të Kryetarit.Unë mendoj se duhet bërë auditimi e hetim të prokurorisë! Nëse dalim ne ish Drejtorët fajtorë të dënohemi. Nëse ai atëherë ai duhet të merr dënimin. Duhet të zbardhur e vërteta në këtë digastere’’, shtoi ai.

Vet ish-drejtor Mulliqi, dje pretendoi se shkarkimi i tij  vjen pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

“Prandaj, me vendim të kryetarit  nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz. Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje!, Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!”, ka shkruar Mulliqi në rrjetin social “Facebook”.

E tërë kjo situatë, natyrisht ka nxitur edhe një reagim të komunës së Podujevës.

“Duam të njoftojmë opinionin publik dhe mediat se drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu ka ofruar dorëheqjen e tij nga detyra e drejtorit. Ndërsa, lajmet tjera që po qarkullojnë në rrjete sociale për shkarkimin apo dorëheqjet e zyrtarëve të tjerë janë spekulime dhe të pavërteta”, thuhet në reagimin e Komunës.

Ndërkohë, në publik po përflitet edhe për dorëheqje tjera që mund të ndodhin në Llap./PERISKOPI/

Shpërndaje në: