Presidenti Ademi zbulon detaje të rëndësishme në lidhje me kontratën e Challandes, ardhjet e reja dhe Arbër Zenelin

Presidenti Ademi zbulon detaje të rëndësishme në lidhje me kontratën e Challandes, ardhjet e reja dhe Arbër Zenelin

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka zbuluar detaje të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e përzgjedhësit, Bernard Challandes në Kombëtare, ardhjet e reja në reprezentacion, si dhe gjendjen e Arbër Zenelit pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit.

Ka pasur zëra të vazhdueshëm në lidhje me ardhjet e reja në Kombëtare, e cila sigurisht se ka nevojë për freski dhe kualitet të shtuar, shkruan Periskopi.

E në këtë aspekt duket se po punon FFK, me Ademin që e konfirmoi sonte se është në kontakt edhe me dy futbollistë të rinj, të cilët pritet t’i bashkohen grupit në të ardhmen e afërt.

“Sigurisht se do të ketë futbollist të rinj që do t’i bashkohen Kombëtares,” ka thënë Ademi.

“Jemi në kontakte të vazhdueshme me futbollistët që do të vijnë, me menaxherët dhe familjarët e tyre.

“Besoj që dy emra të rinj do të vijnë, njëri nga regjioni i Ferizajt dhe tjetri nga Mitrovica.”

Ademi e ka komentuar edhe situatën e Zenelit, i cili së fundmi është kthyer pas një lëndimi që e mbajti shumë gjatë jashtë fushave.

“Arbëri është i vendosur se është rikthyer në formë tashmë,” ka thënë numri 1 i FFK-së.

“Atë e ka dëmtu shumë lëndimi pasi ka qenë në fazën më të mirë, sidomos te klubi ku kishte filluar të aktivizohej rregullisht dhe po fitonte vëmendje të madhe nga skautët dhe menaxherët e klubeve tjera.

“Kështu që, këta nëntë muaj, e kanë ngadalësuar zhvillimin e tij dhe kalimin në një klub më të madh, por besoj se prapë do të vazhdojë edhe më fuqishëm se që ka qenë.”

Në fund, u zbuluan detaje nga ajo që u intereson të gjithëve – e ardhmja e Challandes në Kombëtare.

Ademi ka thënë se vetëm shëndeti mund ta ndalojë aventurën e zvicëranit te “Dardanët”, pasi ekziston vullneti i dy palëve që të vazhdohet bashkëpunimi.

“Disponimi i dyanshëm është pozitiv, vetëm shëndeti mund ta ndalë atë që mos të vazhdojë, por tash është edhe me shëndet mirë dhe besoj se do të jetë me ne.” /Periskopi.com/

Shpërndaje në: