Presidenti Begaj e ndihmoi gjatë luftës, Lladrovci do ta shpallë “Qytetar Nderi”

Presidenti Begaj e ndihmoi gjatë luftës, Lladrovci do ta shpallë “Qytetar Nderi”

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka njoftuar se së shpejti do ta shpallin “Qytetar Nderi” presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj për shkak të punës humane gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook shkroi se do t’i nisë procedurat mbi këtë çështje.

“Lufta çlirimtare në Kosovë, përfshiu burrat e gratë më të devotshme atdhetare, pavarësisht profesionit të tyre. Rasti i dr. Bajram Begajt, është ilustrim i atdhetarizmit, profesionit dhe fisnikërisë. Plagët e ushtarëve të lirisë, i njeh mirë tash President, dr. Bajram Begaj”, shkroi ai.

Lladrovci u shpreh se adresa për të plagosurit, ishte Spitali Ushtarak, ku zëvendës-drejtor ishte Begaj.

“Përkujdesja e tij, ishte e lidhur edhe me profesionin por edhe me shtysën themelore të një personaliteti të shquar, atdhetarizmin”, tha ai.

“Deri sa isha i plagosur, kujdesin ma ofroi njësiti shëndetësor, kur zëvendës drejtor i Spitalit Ushtarak ishte presidenti aktual, dr. Bajram Begaj. Kujdesi shëndetësor ndaj meje dhe të plagosurve tjerë, ishte shembullore. Jo vetëm se ishte kujdes sipas detyrës zyrtare dhe mfisnikërisë së profesionit por edhe përkushtimin atdhetar”, theksoi Lladrovci.

“Për këtë kujdes shembullor sa isha i plagosur e kujtoj dhe falënderoj edhe z. Dashamir Kadëna, zv. shef i ShIK-ut, z. Arben Isarai, Këshilltar për Siguri i Kryeministrit Majko dhe dr. Shaip Mujën”, vijoi i pari i Drenasit, ndërsa shtoi se presidenti Begaj, jo vetëm që i njeh plagët tona, por edhe zemrën e UÇK-së nga fillimet e saj, me lidhjen familjare në rrethana tjera edhe me komandantin legjendar Adem Jasharin me shokë, nga viti 1991.

Shpërndaje në: