Presidenti i FBK-së: Anulimi i sezonit vendim i dhimbshëm

Presidenti i FBK-së: Anulimi i sezonit vendim i dhimbshëm

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka thënë se vendimi për për anulimin e sezonit të Superligës së Kosovës në basketboll, është vendim i dhimbshëm.

FBK ka anuluar stinorët në Superligën e meshkujve dhe të femrave, duke vendosur të mos shpallë kampionët, pas përhapjes së coronavirusit në vend.

Për garat e tjera do të merret vendim pas një muaji.

“Sot u detyrova që t’ia paraqes Bordit të FBK-së vendimin më të dhimbshëm të këtij mandati – atë të anulimit të garave të Superligave të Kosovës. Në kohë si kjo, kur vendi jonë po përballet me një armik të padukshëm dhe të pabesë, komuniteti i basketbollit dhe më gjerë duhet të tregojë përgjegjësi, unitet dhe solidaritet”.

“Prandaj, pas konsultimeve me të gjitha palët e interesit, dhe pas konstatimit se shëndeti i tifozëve, stafit dhe lojtarëve duhet të jetë prioritet i yni dhe në këtë frymë, Bordi i FBK-së ka vendosur sot njëzëri që të anulojë garat e edicionit 2019/20 në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Femrave në basketboll”, ka thënë Fetahu.

“Për sportin tonë ky vendim është posaçërisht i dhimbshëm, duke qenë se u detyruam ta marrim atë në kulm të një edicioni garues me konkurrencë të fortë, me lojë të paparashikueshme në kuptim të rezultatit dhe në të cilin shikuesit e patën fjalën kryesore, gjë që dëshmohet me mbi 15.000 bileta të shitura gjatë javës së Final 8 të Kupës së Kosovës në Rahovec, me sallat e rimbushura plot anekënd Kosovës dhe me përcjelljen e interesin e shtuar mediatik ndaj sportit tonë të zemrës”.

“Ky rezultat i arritur falë angazhimit të federatës dhe burimeve njerëzore të saj dhe rolit të paçmueshëm të partnerit mediatik të federatës – ArtMotion, i cili me përkushtim të pashoq ka përcjellë veprimtarinë tonë dhe ka përçuar emocionet e terreneve të basketbollit në shtëpitë tuaja, duke kontribuar kësisoj në kthimin e shikueshmërisë në basketbollin e Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se skuadrat e Superligave të Kosovës sivjet kanë bërë investime të konsiderueshme dhe kanë shfaqur nivel më të lartë organizativ”, ka thënë ai në ueb faqën e FBK-së. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: