Presidenti i Lazios letër ultrasve: Paguani 50 mijë €

Presidenti i Lazios letër ultrasve: Paguani 50 mijë €

Presidenti i Lazios Claudio Lotito u ka dërguar nga një letër çdo ultrasi të Lacios të identifikuar nga policia për t’u kërkuar të rimbursojnë klubin bardhekaltër pas gjobitjes nga UEFA për “përshëndetje fashiste” në sfidën e 3 tetorit të Europa Ligës Lazio-Rennes 2-1.

Sipas mediave italiane, Lazio kërkon nga ultrasit e vet të paguajnë 50 mijë € për ndëshkimin financiar që UEFA i dha klubit italian. Por, mbyllja e sektorit të ultrasve të Lazios për disa takime ka ndikuar në mosshitjen e biletave për disa ndeshje duke shkaktuar rritje të kostos në faturën financiare të klubit të kryeqytetit italian.

“Nga pamjet filmike të siguruara nga UEFA dhe hetimet e policisë, konfirmohet se ju jeni përgjegjës për sjelljet e pahijshme dhe akuzat e ngritura ndaj jush. Përveç aspektit penal, sjellja juaj ka shkaktuar dëme financiare klubit duke ndikuar në shitjen e biletave, kosto që llogaritet në 50 mijë €.

Mbi të gjitha, sjellja e juaj ka cënuar detyrimet e Kodit të Etikës”, shkruhet në letrën e firmosur nga presidenti i Lazios Claudio Lotito.

Shpërndaje në: