Presidenti i Ukrainës në llogore së bashku me ushtarët: Do t’i mundim rusët

Presidenti i Ukrainës në llogore së bashku me ushtarët: Do t’i mundim rusët

Presidenti Volodymyr Zelensky vizitoi trupat ukrainase në frontin e luftës, në Donjeck në ditën kombëtare të ushtrisë për të parë nga afër moralin e ushtarëve që përballen çdo ditë me separatistët pro-rusë.

Ai u përpoq t`i jepte zemër, duke u treguar se forcat e armatosura të Ukrainës, janë në gjendje që të përballojnë çdo sulm të mundshëm nga Rusia.

“Shëndet dhe jetë të gjatë uroj sot për secilin prej jush. Ne duam t`u japim nipërve e mbesave tona histori të mrekullueshme për heroizmat tuaja në mbrojte të vendit. Me njerëz si ju, padyshim që mund t`i mundim të gjithë”, u shpreh ai.

Çdo ditë e më shumë shtohet frika e një mësymjeje ruse në vendin fqinj. Ukraina ish-sovjetike përballet që prej 2014-ës me rebelimin e separatistëve në rajonet lindore të Lugansk e Donetsk, i cili nisi pak pasi Moska aneksoi Krimenë.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimore e akuzojnë Kremlinin se mbështet kryengritjen atje, çka mohohet nga Moska.

Deri tani, gati 14 mijë vetë kanë humbur jetën në luftime. Së fundi sakaq, është shtuar frika për një pushtim të plotë të Ukrainës, e kjo është paralajmëruar edhe nga shërbimet amerikane të inteligjencës, sipas të cilave Moska planifikon të sulmojë me gati 175 mijë trupa.

Si NATO-, ashtu dhe SHBA-ja e kanë paralajmëruar Vladimir Putinin për pasoja të rënda në rastin e një sulmi, ndërsa ai vetë insiston që aleanca ushtarake të mos shkelë vijat e kuqe, duke u zgjeruar në lindje.

Shpërndaje në: