Presidenti kinez-Bidenit: Mos luaj me zjarr

Presidenti kinez-Bidenit: Mos luaj me zjarr

Në një telefonatë dyorëshe dhe të tensionuar, udhëheqësi i SHBA-së dhe ai i Kinës kanë paralajmëruar njëri-tjetrin për Tajvanin.

Presidenti Joe Biden i tha homologut të tij kinez, Xi Jinping, se SHBA ka kundërshtuar me forcë çdo lëvizje të njëanshme për të ndryshuar statusin e ishullit.

Por, ai shtoi se politika e SHBA-së për Tajvanin nuk ka ndryshuar.

Pekini tha se Xi i kishte thënë Bidenit që t’i përmbahej parimit të Kinës për “vetëm një qeveri kineze”, duke e paralajmëruar atë se “kushdo që luan me zjarrin do të digjet”.

Tensionet mbi këtë çështje janë rritur para një vizite të planifikuar të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan.

Departamenti i Shtetit thotë se Pelosi nuk ka njoftuar për ndonjë udhëtim, por Kina ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse ajo do ta realizonte një vizitë të tillë.

Javën e kaluar, Biden u tha gazetarëve se “ushtria mendon se nuk është një ide e mirë”, por Shtëpia e Bardhë e ka quajtur retorikën kineze kundër çdo udhëtimi të tillë “qartësisht të padobishme dhe jo të nevojshme”.

Pelosi do të ishte zyrtarja më e lartë amerikane që do të udhëtonte në Tajvan që nga viti 1997.

Gjatë bisedës telefonike të së enjtes, Biden dhe Xi diskutuan gjithashtu për një takim të mundshëm ballë për ballë, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Biden dhe Xi nuk kanë pasë ndonjë takim pas ardhjes në pushtet të Biden.

Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet të bëhet pjesë e vendit – dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për ta arritur këtë.

Sipas parimit të “One China”, Washingtoni nuk e njeh Tajvanin në mënyrë diplomatike, por SHBA i shet armë ishullit, që vetëqeveriset në mënyrë demokratike, me arsyen që ai të mund të mbrohet.

 

Shpërndaje në: